SEZONI TURISTIK, Koncertet largohen nga Tirana drejt bregdetit
Në vazhdën e promovimit të pasurive natyrore të vendit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare një sërë evenimentesh kanë ndjekur tendencën e shtegtimit të tyre nga metropoli drejt rretheve apo qendrave të caktuara historike e kulturore. Për më tepër, sezoni turistik i kësaj vere ka shtyrë organizatorët që koncertet e tyre t’i zhvillojnë pranë bregdetit apo zonave muzeale, ku turistët e huaj drejtohen për të mësuar më tepër mbi historinë e Shqipërisë. Artistë shqiptarë por edhe të huaj, do të performojnë për publikun dhe turistët që pushojnë këto ditë në Durrës; më 30 korrik, në qendrën e këtij qyteti do të mbahet një koncert nga grupi i këngëve të Epirit, për të vijuar me koncertin e datës tre gusht, kur instrumentisti italian Roberto Daris do të luajë me fizarmonikën e tij pjesë të ndryshme në koncertin që është vendosur të mbahet në Parkun Arkeologjik të Apolonisë në Fier. Më tej, i njëjti artist do të udhëtojë drejt Durrësit për të dhënë një tjetër koncert në Torrën Veneciane, e prej andej, drejt qytetit të Pogradecit, si dhe në Muzeun Arkeologjik të Korçës. Gjithashtu, një tjetër shfaqje interesante vjen për pushuesit shqiptarë e të huaj të Dhërmiut, në datën 6 gusht. Dixheji me famë botërore nga Hollanda, Tiesto, do të performojë për herë të parë në Shqipëri duke sjellë mikset dhe krijimet e tij më të njohura, si dhe duke prezantuar apo improvizuar pjesë të reja. Le të shpresojmë që aktivitete të tilla të ketë sa më tepër gjatë gjithë sezonit, kjo edhe si një kundërpërgjigje e mirë ndaj muzikës së ahengut, e cila lartohet përtej diskotekave e klubeve verore dhe vret veshin e të gjithë intelektualëve e dashamirësve të vlerave të vërteta artistike.
28 Korrik 2009