Handikapet e kritikës letrare
Leonard VEIZI
Për të arritur tek kritika duhet filluar nga letërsia. Pra, a kemi krijime letrare? Pas viteve ’90 të dyja këto dimensione të kulturës shqipare morën poshtë e më poshtë. Pra, nëse nuk ke të parën s’ka se si të kësh të dytën. E ndërsa në këto vite ndryshimesh, letërsia luajti një rol negativ, duke prishur shijet e lexuesve, kritika gati pushoi së funksionuari. Them luajti një rol negativ, pasi pasojat e botimit të një sasie të konsiderueshme letërsie vulgare, janë të dukshme edhe sot, ku shpesh lexuesit tregohen skeptikë ndaj letërsisë vendase. Pas viteve 2000, letrat shqipe patën një ringritje të vlerave por kritika nuk arriti ta ndiqte nga pas me të njëjtin hap. Një pjesë e kritikës mbeti me mentalitetin e vjetër dhe pakush arriti të kapte ritmin që kërkonte koha. Flitet për parametra të tjerë kritike, pas kapitullimit të soc-realizmit, ndërkohë që këtë boshllëk morrën përsipër ta mbushnin vet shkrimtarët, duke bërë “kritikë” për librat e njëri-tjetërit. Ndonjëherë, duket sikur ke të bësh me vlera të tepëruara, ndonjëherë me sulme të drejtpërdrejta. Por, mbi të gjitha, kjo kritikë nuk ka formën institucionale dhe merr trajtat e artikujve të porositur apo edhe të paguar. Aktualisht nuk mund ta mohoj faktin se ka kritikë; mendoj që ajo nuk është e shtrirë në thellësi por vetëm në gjerësi. Megjithatë tradita nuk ka munguar, institucioni i kritikës e ka krijuar prej kohësh shtratin e saj dhe këtu kam parasysh lulëzimin e viteve ’30. Në kushtet e sotme, një prej handikapëve të zhvillimit të kritikës është edhe vet media. Kritikë ka, por ajo nuk është shumë e dukshme dhe as shumë e publikuar. Gazetat apo revistat letrare janë të pakta. Ndoshta kjo është një prej arsyeve të mungesës së frymëmarrjes së duhur, ndërsa në faqet e gazetave të përditshme kritika është shumë e izoluar. Duke u ndalur po te media, pjesë përbërëse e së cilës jam dhe vetë, mund të them se i njoh mirë problemet e saj; e kanalizuar e gjitha pas lajmit të zi apo atij rozë, me përjashtime të ralla, drejtuesit e mediave nuk janë të interesuar të botojnë kritika letrare. Madje, këto lloj shkrimesh shihen si një barrë, e cila e pengon ecurinë e shitjes së gazetave. Pra, ekziston ideja se kritika letrare nuk ka lexues. Por edhe nëse botohet një kritikë, autori i saj ka shumë pak gjasa të jetë i paguar. Në këto kushte edhe kritika është e detyruar të mos jetë funksionale. Duke qenë se kjo dukuri është masive, kohë pas kohe e ka bërë të shuhet fryma kritike ndaj letërsisë. Përsa i përket krijimtarisë letrare, aktualisht, lexuesi shqiptar është i orjentuar vetëm në bazë të lajmit të ditës. Pra, dimë që në tregun e librit del një roman “best-seller” por nuk kemi të qarta vlerat. Trumpetohen emra romancierësh amerikanë, apo amerikano-latinë por nuk kemi materiale të thejlluara për këndvështrimet e tyre, ndërkohë që pak a shumë, me të njëjtat cilësi janë edhe autorët shqiptarë. E shoh si shumë të nevojshme ngritjen e institucionit të kritikës, gjë që do të bënte të dilnin më në pah vlerat dhe antivlerat e letërsisë sepse, shpesh në këto vite tranzicioni ka ndodhur e kundërta. Por mendoj gjithashtu, se ky institucion nuk do të ketë jetë dhe për disa vite të tjera, përderisa ai që mund të quhet kritik profesionist nuk është i paguar.
28 Korrik 2009