Agron Aliaj: Delvina më bëri borxhli
Skenat e Budapestit e Varshavës, vendet balltike dhe Helsinki, Moska dhe Kina as të gjitha bashkë nuk i kanë dhënë atë emocion që ka ndier dje në Delvinën e tij baletmaestri Agron Aliaj. Ka ardhur te rrënja pas shumë vitesh karrierë artistike dhe është pritur siç mund të pritet djali në shtëpinë e vet. Nga dita e djeshme ai, edhe zyrtarisht, është nderi i qytetit të vogël, që ka nxjerrë këtë artist të madh. "Më thonë që kam bërë shumë për Shqipërinë, por paskam harruar të bëj aq sa meriton Delvina"- flet çiltërsisht dhe i surprizuar nga pritja entuziaste e banorëve të vjetër dhe të rinj të Delvinës, që u bënë pjesë e ceremonisë së iniciuar dhe organizuar nga bashkiakët. Përmes emocionit dhe lotit që i rrëzohet dhe ndalet si pikë vese mbi tufën e luleve të këputura në lëndinat ku gjenden shtigjet e fëmijërisë së tij, Agron Aliaj thotë se me nderin që i ka bërë Delvina ndihet shumë borxhli. Ai kujton shtëpinë ku u rrit, shokët e moshës, qytetin e sazeve dhe alegrisë, Delvinën e zanatçinjve dhe ndërtesat karakteristike, si dhe lojërat që ishin si fishekzjarrët e kohës. Në tiparet dhe ndërgjegjen artistike të tij, Artisti i Popullit aspak për kortezi pohon se ka Delvinën e dashur, që gjallonte në fëmijërinë dhe rininë e tij të hershme. "Shpesh në atë kohë mendoja se ç‘mund të jetë përjetimi emocional i debutimit të thelluar të valles popullore, frymëzimet e para të së cilës i kisha provuar qysh në vendlindjen time, këtu në Delvinë", kujton ai. Qysh fëmijë thotë se i kishte vënë detyrë vetes që të zbulonte sekretet e vallëzimit popullor, duke ndjekur çdo detaj autentik gjatë zhvillimeve të festimeve gazmore. Delvinjotët edhe sot e kësaj dite thonë: Ja, kjo është shtëpia e atij valltarit të madh. Shtëpinë dhe shpirtin i ka lënë këtu, ndërkohë që Delvinën dhe jugun i ka marrë me vete, duke i bërë majanë e artit të kërcimit. Në damarët e tij ka pulsuar ritmi i valleve të kërcyera nga paraardhësit, nëpër teatrot antikë të Butrintit e Finiqit, në kalatë madhështore të Borshit e të Delvinës, në lëndinat dhe konakët e banorëve vendas. Ai u bë një kala e baletit shqiptar. Princ të kërcimit klasik, do ta quante atë dikur Asaf Mihailloviç Meserer, baletmaestër i "Balshoi Teatër" në Moskë. Karriera e tij me një zanafillë interesante nis në vitin 1945 në Pallatin e Pionierit Tiranë, ku ishte shpërngulur përfundimisht familja e tij, e ardhur nga Delvina. Ai kujton se si mjeshtri Panajot Kanaçi, pasi pa të dhënat e tij artistike, e aktivizoi Agronin e vogël në kërcimin e valleve popullore. Mbi to u stivosën vite pune këmbëngulëse që pasioni për kërcimin të bëhej edhe profesion. Spektakli "Vallëzimi i Shqipeve" përgatitur nga grupi profesionist i valleve pranë Filarmonisë Shqiptare në vitin 1950, nga mjeshtri Panajot Kanaçi, e evidenton mjeshtrin Aliaj si një balerin me të ardhme të sigurt në artin koreografik. Pas turneut të suksesshëm në vendet e Evropës Lindore, Agron Aliaj dhe një grup valltarësh, me interesimin e baletmaestrit rus, Georgi Perkun, shkuan për studime në Moskë. Në Akademinë moskovite të Dansit spikati prirja e studentit Alia për të prekur përsosmërinë. Gjatë ekzekutimit në Letoni të 12 pirouette-ve karakteristike të tij, në baletin "Kujdesi i Kotë", publiku i sallës u surprizua dhe u elektrizua, duke e treguar këtë me shpërthimin në stuhi duartrokitjesh. Në prag të shfaqjes "Arrëthyesi", balet-diplomë, Agroni tërësisht i tendosur prapa kuintave, për të prezantuar në skenë potencialin artistik që mbante brenda vetes, priste tingujt e muzikës. Kjo ishte një pasaportë e sigurt që paratha se të ardhmes i vinte një artist i madh. Ai shquhet për interpretim të baleteve me tematikë botën përrallore, me muzikë të Çajkovskit, Moxartit, si dhe "Valsi i Moskës", "Bukuroshja e fjetur në pyll" etj. Me interpretimin e "Hirushes" dhe debutimin te "Liqeni i Mjellmave", mjeshtri Aliaj shfaq tipare të veçanta drejt profesionalizmit. Me këtë korife, Ansambli Artistik Shqiptar merr pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë në Budapest dhe meriton çmimin e dytë për interpretimin e valles tiranase. "Pas këtyre momenteve, jeta ime ishte e destinuar plotësisht t‘i dedikohej artit të bukur të baletit", deklaron legjenda e gjallë e baletit shqiptar. Në vijim të festivaleve të rinisë në Evropë, Agron Aliaj, dhe partnerja e tij, Zoica Haxho, konsiderohen balerinë të suksesshëm dhe vazhdojnë të meritojnë çmime të dyta, si: në Budapest, Varshavë, në vendet balltike e Helsinki. Veçanërisht për interpretimin e baletit "Flakët e Parisit", aktori i shquar francez, Zherar Filip, u shprehu para mjeshtrit shqiptar: "Më bëri përshtypje talenti juaj, interpretimi i përpiktë dhe i studiuar aq mirë, bëri që të mos i linit asgjë mangët personazhit. Ju arritët të hynit plotësisht në nuancat e asaj epoke të Revolucionit Francez…". Me potencialin e tij artistik, mjeshtri Aliaj ishte konsideruar një partner i preferuar, duke nxitur dëshirën e shumë studenteve të huaja të zgjidhnin për partner Aliajn në mbrojtjen e diplomës. Kur e pyet për suksesin e rrugës së tij të gjatë, ai nuk e mban të fshehtë sekretin. Por thotë: "Gjatë kohës së punës nuk më ka interesuar kurrë vetja, e kisha atë forcë që trurin tim ta shuaja nga vetja dhe të punoja me trurin e personazhit që krijoja. Kam punuar me aq shumë fate njerëzish dhe mbi të gjitha, i kam përjetuar ato. Të ndërtosh kaq shumë jetë, të hysh në të gjitha labirintet e shpirtit e ngjarjeve të tyre, do të thotë të pasurosh veten me një jetë të dubluar e të jetuar brenda vetes". Agron Aliaj guxon të vërë në skenë kryevepra të interpretuara në skenat më prestigjioze të Evropës, sikundër është baleti "Zhizel". Përshtatja bashkëkohore e gjuhës romantike të baletit, ishte meritë e veçantë e mjeshtrit Aliaj, i cili pa te balerinët e përgatitur prej tij një plastikë fluturuese, një zbërthim dhe ekzekutim me lehtësi të detajeve të tekstit koreografik, të pëlqyer aq shumë e të vlerësuar edhe nga spektatori milanez. Interpretimi i Ana Raçit, balerinës së parë të Milanos, partnerit Ilir Kerni dhe përgjithësisht i të gjithë trupës shqiptare në teatrin e famshëm "Skala" të Milanos, u vlerësua si një interpretim me parametrat më të mira evropiane. "Edhe sikur nesër të largohesha nga arti koreografik, kam një qetësi te brendshme, sepse gjithçka pata ëndërruar në jetë e kam realizuar, qoftë në repertorin kombëtar ashtu edhe në atë të huaj". Në 50 vjet veprimtari janë me qindra e qindra balerinë të tjerë me gjurmë të spikatura në karrierën artistike, të cilët i shprehin vazhdimisht mirënjohjen e tyre profesorit, mjeshtrit Aliaj. Të gjitha këto fakte jetësore dhe artistike një personazh tjetër i skenës së baletit, Didan Suli, i ka mbledhur dhe skalitur në një vëllim monografik, të cilit në Delvinë e Sarandë dje iu kthye fleta e parë. "Agron Aliaj, artisti që thuri legjendë", me atë portretin aq djaloshar në kopertinë, ka kaluar dje dorë më dorë mes lexuesve të një lloji të veçantë, që më shumë se kushdo, thonë "është yni". Ai atje përlotej nga përroi i asaj që ndiente për Delvinën e delvinjotët e atje bëhej pjesë e grupit të valleve, shoqëruar nga sazet tipike delvinjote. Studiuesi Ramazan Bogdani, u ngjit edhe ai në skenën e Delvinës dhe përgëzoi edhe mjeshtrin Aliaj për sebepin e ardhjes në "shtëpinë" e vet, por edhe Delvinën dhe bashkiakët e saj, posaçërisht kryetarin e saj, Dhurim Alinani. "Më së shumti Delvina i ka bërë nder vetes duke nderuar Agronin", thotë prof. Bogdani, pasi e quan atë një kolos të skenës. Ai thotë se do t‘i vinte mirë që edhe ajo shtëpia e Agron Alisë e harruar në lagjen e Delvinës së vjetër, të kishte një pllakë rrëfyese në trupin e vet. Prof Adriatik Kallulli, nip nga këto anë, kishte shoqëruar mjeshtrin balerin në bërjen e tij pjesë e nderit të Delvinës. Ai tha se Agron Aliaj është një nga kreshtat e mëdha që Delvinës së vogël i janë bërë njerëzit e mëdhenj që ka nxjerrë. Në gëzimin e rrallë, Artistin e Popullit Aliaj nuk mund ta linin vetëm ata që u mësoi të bëhen si ai, që nga këngëtarja Irini Qirjako, te solisti Rexhep Çeliku, Ilir Mitrushi e deri te kërcimtaret e reja, studente të pedagogut Aliaj.