E Diel, 1 Nëntor 2026

Ethet e 30 dramave

Pas katër vitesh rikthehet konkursi kombëtar i dramës shqipe. Më 2003-in në një kohë kur teatri rendte çdo ditë e më shumë drejt dramaturgjisë së huaj, Ministria e Kulturës tentoi të krijonte një konkurs për dramën më të mirë shqipe, në mënyrë që të stimulonte krijuesit në krijimin e kësaj gjinie të harruar këto vite. Ky konkurs, përveçse rikthehu dhe njëherë debatin mbi nivelin në të cilin ndodhej dramaturgjia shqiptare pas viteve ‘90 u dha shansin veprave fituese të ngjiteshin në skenën e Teatrit Kombëtar. Vetëm disa prej veprave fituese mundën të ceknin skenën e teatrit, ndërsa të tjerat edhe pse u fol se do të kishte një përkrahje për tu‘ ngjitur në skenë, vazhdojnë të flenë sirtarëve të punëve të autorëve.

Por katër vjet më pas, tashmë që teatri ka lëvizur disi nga terreni i 17 viteve më parë, Ministria e Kulturës i rikthehet këtij konkursi me bindjen se do të mund të lëvizë diçka pozitive në këtë gjini, që artistët e teatrit e quajnë të harruar. Ideja e këtij konkursi, sipas një njoftimi të bërë publik, është pikërisht "Selektimi i një mendimi të specializuar për vepra dramatike, të cilat janë të përfunduara apo në proces deri në shpalljen e datës së dorëzimit, me qëllim vlerësimin, promovimin dhe nxitjen e një arti në rrezik dhe në zhdukje siç është dramaturgjia kombëtare".

Ministria është e ndërgjegjshme se "duke vlerësuar krijimet e pakta të viteve të fundit, në fushën e dramaturgjisë, shihet si e domosdoshme ndërhyrja institucionale për motivimin e krijuesve të dramës shqipe. Zhvillimi i një konkursi kombëtar për dramën më të mirë, jo vetëm do të motivojë, stimulojë dramaturgët shqiptarë, por do t‘u japë një mundësi dramave të tyre për t‘u ngjitur në skenë duke u marrë kështu vlerësimin e drejtpërdrejtë të publikut". Në fund të këtij konkursi do të ketë tre çmime, përkatësisht çmimi i parë që do të vlerësohet me 400.000 lekë, çmimi i dytë me 300.000 lekë dhe çmimi i tretë me 200.000 lekë

"Çmimet që do të jepen do t‘i dedikohen posaçërisht përkrahjes së tendencave moderne dhe emancipuese, estetike të teatrit shqiptar, që mund të luajë një rol të ndjeshëm në komunitetin teatror e më gjer", thuhet në njoftim. Çmimet do të ndahen më 14 dhjetor në orën 17.00 në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar.

Sot pritet që kryetari i komisionit përzgjedhës, Besnik Bisha, të dalë në një konferencë për shtyp ku të shpallë dhe 10 dramat më të mira konkurruese. Komisioni vlerësues është i përbërë nga Besnik Bisha, kryetar dhe anëtarë aktorja dhe regjisorja, Ema Andrea, kritiku Mark Marku, deputeti Parid Teferiçi dhe poeti Gentian Çoçoli.

Dje janë bërë publike dhe dramat konkurruese të cilat janë: Bashkim Kozeli me tri drama "Marathonomaku i pavarësisë", "Gonxhja e shenjtë dhe "Ora e mbetur". Ferdinant Hysi me "Jetë qeni d.m.th Vip Brothers", Bashkim Hoxha me dy drama "Heronjtë e viagrës" dhe "Ne të gjithë kënduam Margaritën". Odise Plaku me "Velloja e bardhë", Nuredin Boriçi me "Elsinori përsëri" dhe "Thomausti dhe kapelet". Stefan Çapaliku me "Allegretto Albania" dhe "Putargat e thata". Ridvan Dibra me "Në emër të atit". Natasha Bega me "Nata e grave vagabonde". Erenler Ajdinlli me "Elena e gjyshit". Fadil Kraja me tri drama "Çorapet e leshta", "Simfonia e fatit", "Surpriza". Loni Papa "Arda" dhe "Martesa e Lidrës". Robert Budina me "Simfoni pa orkestër", Rushdi Pulaha me "Muzeu" dhe "Fqinjët". Fadil Hysaj me "Molla e Adamit", Avni Halimi me "Pasqyra", Shpëtim Gina me "Pesha e paqes", Sheri Mita me "azilantët", "O njerëz mos e vrisni dashurinë", Vangjush Popli. Kujtim A. Shehu me "Pesë komedi" dhe Hekuran Zhiti me "Nusja në thes". Ajo çfarë të bie në sy nëse sheh listën e autorëve që konkurrojnë për tre çmimet kryesore, janë pothuajse të njëjtit emra që lakohen në historinë e dramës shqipe si: Bashkim Hoxha, Ruzhdi Pulaha, Loni Papa, Fadil Kraja etj. Këta autorë vijojnë të jenë prodhimtarë dhe në këto vite, ndërkohë bie në sy mungesa e emrave të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›