E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, sot vullnetarisht në Prokurorinë e Përgjithshme

Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, do të paraqitet sot vullnetarisht në Prokurorinë e Përgjithshme, në lidhje me hetimet e tenderit të rrugës Durrës-Kukës. Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, pritet të takohet me prokurorët e çështjes, të cilët kanë hartuar edhe pyetjet përkatëse. Burime nga akuza qendrore thanë se janë rreth 20 pyetje, kryesisht shkeljet e konstatuara nga hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Tiranës për rrugën që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Por, hetuesit e çështjes thanë se është në dëshirën e deputetit për përgjigjet që do të japë. Sipas tyre, ministri i Jashtëm mund të japë shpjegime në akuzën qendrore si person që ka dijeni mbi faktet, por kurrsesi nuk mund të thirret si i pandehur. Zyrtarët e akuzës qendrore saktësojnë, se Basha do të merret në pyetje nga grupi hetimor, i kryesuar nga prokurori Arben Kraja, i cili ka marrë në dorë hetimet pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës. Burimet nuk konfirmojnë nëse gjatë seancës së pyetjeve do të asistojë edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ndërsa saktësojnë se pritet një takim midis saj dhe ish-ministrit të Transporteve, të akuzuar nga vartësit e saj për "shpërdorim detyre". Akuza në fjalë është konstatuar nga prokurorët e Tiranës, disa javë më parë. Ata njoftuan Armand Telitin dhe Andi Tomën për akuzën "shpërdorim detyre", ndërsa saktësojnë se e njëjta akuzë rëndon edhe mbi Lulzim Bashën, por ministri aktual i Jashtëm nuk u është përgjigjur thirrjeve të njëpasnjëshme të organit hetimor. "Si persona të dyshuar si përgjegjës për këtë vepër penale janë shtetasit Andi Toma, Armand Teliti dhe Lulzim Basha, të cilët kanë përgatitur të gjithë dokumentacionin dhe kanë iniciuar procedurat e VKM nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006. Shtetasit Andi Toma, Armand Teliti dhe Lulzim Basha janë të dyshuar si përgjegjës për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal. Shtetasve Andi Toma dhe Armand Telitit i është njoftuar akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal, pasi janë këta persona të cilët kanë përgatitur dokumentacionin", thuhet në hetimin e prokurorisë. Po kështu, përgjegjësi penale ka edhe ish-drejtoresha e rrugëve, Lejla Saraçi, pasi ajo ka nënshkruar në kontratën për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme, gjatë kohës që drejtohej nga Theodhori Sollaku, i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, vendim i cili ende nuk është marrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›