Belgjika kthen me autobusë azilkërkuesit nga Ballkani
Ka tre shoferë dhe udhëtimi pritet të zgjasë nga 30 deri në 35 orë dhe mbërritja e qytetarëve nga Maqedonia dhe atyre nga Serbia, në Kumanovë parashikohet të enjten paradite dhe në Preshëvë të njëjtën ditë rreth orëve të pasdites, u shpreh Dominique Ernould, zëdhënëse e zyrës së të huajve në Belgjikë. Sipas saj, ata do të kthehen në shtëpitë e tyre në kushtet më të mira, sepse e dinë shumë mirë se në Belgjikë nuk do tju jepet azil pasi e kërkojnë për arsye ekonomike dhe në Belgjikë nuk ka azil ekonomik. Sipas autoriteteve, nga Belgjika janë nisur ditën e djeshme në kthim 41 persona, të mashtruar nga agjencitë turistike që u premtuan azil politik në rast udhëtimi drejt zonës Shengen. Autoritetet në Belgjikë presin që kthimi i azilkërkuesve të parë të japë efektin e tij në Ballkan, pasi qytetarët do të shikojnë me sytë e tyre të vërtetën, pra faktin se liberalizimi i vizave nuk u ka sjellë gjë tjetër veçse të drejtën për një udhëtim jo më shumë se 90 ditor në vendet e zonës Shengen.