LMN merr sinjale nga Rama për ndërprerje bojkoti
Deklarata e Marko Bellos disa ditë para vitit të ri, që thoshte i bindur se në vitin 2010 do të hynte në Kuvend, nuk po duket të vihet në praktikë dhe pse Kuvendi pritet të nisë punën shumë shpejt. Gjithashtu, as kolegët e tij që ndajnë të njëjtin mendim me të dhe që kanë qenë kundër bojkotit që në nisje të tij, duket se nuk do ta ndërmarrin dhe për ca kohë një hap të tillë. Siç mësojmë nga burime në PS, ata presin që të futen në Kuvend së bashku me grupin parlamentar. Pavarësisht deklaratave të kreut të partisë, Edi Rama, se bojkoti do të vazhdojë dhe përtej afatit kushtetues të humbjes së mandatit, 7 mars, duket se grupi socialist po përgatit terrenin për të ndërprerë bojkotin parlamentar të nisur që prej ditës së parë të Kuvendit që doli pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Burimet saktësojnë se mbështetës të Ramës u kanë bërë me dije këtyre deputetëve se nga muaji i ardhshëm mund të gjendet mënyra për ta bërë këtë, nëpërmjet negociatave me mazhorancën ose duke shfrytëzuar futjen në seancë të projektligjit për hetimin e zgjedhjeve që kjo parti e ka tashmë si një gur rezervë të sjelljes së saj politike. Projektligji që PS pritet ta çojë për miratim në Kuvend parashikon transparencë të procesit zgjedhor, për të cilin PS ka rezerva sidomos për pjesën e numërimit të votave. Ndërkohë ky ligj është firmosur nga më shumë se 20 mijë simpatizantë të PS-së siç e kërkon Kushtetuta, kësisoj bëhet i mundur ngritja e komisionit parlamentar hetimor. Një komision hetimor është përkrahur dhe nga Kryeministri i vendit, Berisha, i cili madje i ka ofruar PS-së drejtimin e tij, por nga ana tjetër nuk dihet se si do të gjendet rruga për të lëshuar në këtë hetim kushtin kryesor të PS-së, që është hapja e kutive të votimit, një veprim që bie ndesh me vendimet e marra tashmë nga organet kushtetuese, KQZ e Kolegj Zgjedhor.
Nga ana e tyre, deputetët kundërshtarë të Lëvizjes për Mendim Ndryshe po bëjnë presion ndaj partisë së tyre, që bojkoti të ndërpritet në rastin më të parë të mundshëm. Ata mendojnë se çështja e përmbytjeve në veri të vendit është një rast i mirë që PS të hyjë në Kuvend dhe të bëjë opozitën aty për çështjet e përgjegjësisë dhe menaxhimit të situatës. Një tjetër argument janë bërja e reformave që kërkohen për të mundësuar heqjen e vizave dhe shumë reforma kërkojnë jo vetëm debatin dhe mendimin e opozitës, por dhe votën e saj. Gjersa sinjalet pozitive se ky bojkot nuk do ta ketë të gjatë vijnë nga pranë Ramës, mbetet për të parë se si ai do të gjejë udhën për ta bërë këtë, ndërkohë që nuk do të jetë pa kosto politike për PS-në një qëndrim kaq i gjatë jashtë sallës së Parlamentit me asnjë argument që nuk arriti të bindë plotësisht as njerëzit e vet.