E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjika mer kryesinë e radhës së BE-së



Nga 1 korriku, Belgjika mer kryesinë e radhës së Bashkimit Europian, që për gjashtë muaj ka qenë në duart e Spanjës. Kriza ekonomike dhe ndërtimi i krahut diplomatik të Unionit, i njohur si Shërbimi i Jashtëm Europian për Veprim, do të jenë përparësitë kryesore të Brukselit.
Kjo nënkupton se zgjerimi dhe politikat e fqinjësisë në lindje të kontinentit do të njohin një lloj tërheqjeје deri në fillim të vitit 2011, vit ku Hungaria dhe Polonia do të marrin kryesimin e BE-së. Ngritja e shërbimit diplomatik europian duket se do të marrë shumicën dërrmuese të energjive të presidencës belge, sa u përket çështjeve të politikës së jashtme. Belgjika garanton se do të jetë një shembull në Presidencën e saj europiane duke pasur si prioritet të politikës së jashtme pikërisht zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit dhe liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Kjo u konfirmua nga Kryeministri në largim belg, Yves Leterme, dhe ministri i Jashtëm, Steven Van Acker. Ndërkaq analistët besojnë se Belgjika, si udhëheqësja e radhës e Bashkimit Europian, do të sjellë progres në heqjen e vizave afatshkurtra për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Problemet e hasura me azilkërkuesit nga Maqedonia dhe Serbia, të cilët pas liberalizimit të vizave u dyndën në vendet e Schengenit, kryesisht në Belgjikë dhe Suedi, besohet se nuk do të kenë asnjë ndikim në vendimmarrjen politike për regjimin e lirë të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Në konferencën për shtyp përfaqësuesit e Belgjikës sqaruan axhendën e tyre ekonomike dhe sociale si pjesë e masave që Evropa do të marrë në këtë aspekt për t'u rimëkëmbur.
Ndonëse mendohet se në kushtet aktuale zgjerimi nuk do të jetë në mesin e përparësive kryesore, sërish besohet se Belgjika është një vend që mund të ndikojë në politikat e zgjerimit.
Kryeministri Iv Leterm ka thënë, pak ditë më parë, se e ardhmja e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk diskutohet.
Por, Leterm duket se ka ftohur shpresat e Kroacisë që t'i përfundojë bisedimet për anëtarësim brenda vitit 2010.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›