Thaçi: Serbia duhet ta njohë Kosovën nëse synon Evropën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se kurrë më, nuk do të ketë negociata të reja për statusin. Ai ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se nuk ka kthim prapa. kreu i qeverisë ka thënë se Prishtina e ka përmbyllur diskutimin për statusin gjatë pothuajse tri viteve negociimi me Beogradin. "Integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht. Ndarja është një ëndërr e keqe e Sllodoban Millosheviqit, i cili ende jeton në disa qarqe në Beograd", ka thënë kryeministri i Kosovës për të përjavshmen e Beogradit NIN. Thaçi ka thënë se me presidentin serb Tadic mund të flasë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, për çështjet teknike."Me Serbinë mund të bisedojmë për personat e zhdukur, energjinë, kthimin e lëndës arkivore dhe artefaktet arkeologjike, kontrollin e përbashkët të kufijve - siç do të punohet me të gjitha vendet e tjera të rajonit, ujërat, transportin, luftën kundër krimit të organizuar dhe sundimin e ligjit". Përsa i përket bisedimeve me presidentin serb, Thaçi ka thënë se Tadiç, nëse e dëshiron Serbinë në NAT0 dhe Bashkimin Evropian, së pari duhet ta njohë Republikën e Kosovës.