E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjikë, do riatdhesohen rreth 1 mijë azilkërkues



Rreth 1 mijë azilkërkues nga Maqedonia dhe Serbia, të cilët vërshuan drejt Belgjikës sapo në këto vende hyri në fuqi liberalizimi i vizave, do të kthehen së shpejti në shtetet nga kanë ardhur ata. Kjo është deklaruar nga autoritetet belge në Bruksel dhe konkretisht Dominik Erna nga zyra për të Huajt në kryeqytetin belg ka theksuar se në fillim dhe në mes të muajit prill do të kthehen në Shkup të gjithë azilkërkuesit nga zona e komunës së Kumanovës dhe Likovës, por edhe ata nga Lugina e Preshevës. "Me fluturime speciale të gjithë do të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse ata nuk kanë gjasa të përfitojnë statusin e azilit", ka theksuar zyrtarja e lartë e ministrisë së emigracionit. Ndërkaq, një numër i madh i shtetasve të Maqedonisë për shkak të humbjes së shpresave për përfitimin e azilit në Belgjikë kanë kaluar në Francë ku atje po tentojnë të përfitojnë statusin e azilit dhe qëndrimit të rregullt. Numri i madh i kërkuesve për azil ekonomik duket se nuk e ka entuziasmuar BE-në përsa i përket liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›