PS: Komision hetimor Topallit
Aristir Lumezi
Socialistët do të kërkojnë Komision Hetimor ndaj krye-parlamentares Topalli. Propozimi është bërë dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist nga deputeti Erion Braçe, një mbledhje që zgjati rreth një orë e ku nuk kanë munguar diskutimet e shumta. Veprimet e fundit të Kryetares së Parlamentit kanë qenë dje kryefjala e diskutimeve të bëra në grupin socialist. Deputetët kanë akuzuar drejtuesen e seancave se me uljen e pagave që u ka bërë deputetëve socialistë kërkon të denigrojë opozitën. Deputeti socialist Erion Braçe mësohet të jetë shprehur se me penalizimet që ka bërë Topalli, përmes pagave dhe dietave që u takojnë për telefon dhe karburant, synon të vështirësojë aktivitetin e të votuarve të opozitës. Për këtë qëllim, ai është shprehur se grupi i deputetëve të PS duhet të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar, përmes së cilit do të hetohen penalizimet e deputetëve të opozitës, ulja e pagës bazë të tyre përmes një vendimi të cilit i është dhënë fuqi prapavepruese. Këtë ide të Braçes e ka mbështetur dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, i cili ka thënë se kryeparlamentarja duhet të hetohet dhe për udhëtimet e saj e për shpenzimet marramendëse përtej çdo precedenti. Deputetët e kanë cilësuar absurde veprimin e zonjës Topalli, e cila vendos disa kritere për përllogaritjen e pagës së tyre, ndërsa janë shprehur se nuk ka asnjë kriter për të llogaritur pagën e ministrave dhe zënien e tyre në kohë me detyrën që ushtrojnë. Debati për këto shkelje të Topallit u zhvillua dhe në seancës e pasdites, ku pati dhe replika nga ana e kryeparlamentares. Deputeti Taulant Balla tha dje në Kuvend se kryeparlamentarja ka shpenzuar shume te mëdha në dieta. “Zonja Kryetare, na je bërë si brigadierja Lume te filmi “Parullat”. Sepse ti moj zonjë, ke një problem shumë të madh, di të përdorësh vetëm gomën dhe jo lapsin, di të fshish por jo të ndreqësh. Ti na flet për transparencë, por nuk do të vonojë dita kur shqiptarët të marrin vesh që kanë një kryetare Parlamenti, që merr 17 milionë lekë në vit për të paguar një apartament në Shkodër. Për 5 vjet me radhë ka marrë 27 300 mijë euro si dieta për udhëtimet”, u shpreh Balla. Deputeti socialist Ben Blushi ka kërkuar dje në mbledhjen e grupit që të mbahet një qëndrim i fortë në seancën e pasdites në Parlament ndaj çështjes së shtëpisë së Konferencës së Pezës, duke e cilësuar atë një presion të Qeverisë ndaj opozitës. Gjatë mbledhjes së djeshme, kreu i saj i njohu deputetët me debatet e bëra gjatë paradites në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve të Kuvendit, ku është debatuar rreth ndryshimeve në rregulloren e Parlamentit sa i takon mënyrës së votimit të kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Zgjedhjet
Gjithashtu deputetët socialistë kanë kërkuar në mbledhjen e djeshme plotësimin e drejtuesve socialistë të komisioneve parlamentare, si dhe zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit që i takon PS, por dhe kryesisë së grupit parlamentar. Kreu i grupit mësohet të jetë shprehur se këto zgjedhje do të bëhen në mbledhjet e ardhshme të grupit. Që prej bërjes së betimit të deputetëve, më 4 mars 2010, socialistët kanë lënë vakant vendin e nënkryetarit të Kuvendit, tre kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare, si dhe nënkryetarit dhe sekretarit të grupit parlamentar. Shumë emra u lakuan gjatë fushatës elektorale për kreun socialist, si kandidatë potencialë për nënkryetar Kuvendi apo drejtues komisionesh, ndërsa pas nisjes së protestave, asnjë emër nuk është përfolur më, ndërsa zgjedhja e tyre është shtyrë vazhdimisht në kohë, duke vendosur si prioritare marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin.
Debati në Parlament për Topallin
Arta Dade: Aktet flagrante të shkeljes së rregullores dhe statusin e deputetit do i kenë pasur zili edhe organet e ish Sigurimit të shtetit.
Arben Ahmetaj: Zonja Kryetare, nuk kam kompleks të të them që sulmi që ti bën ndaj statusit të deputetit, mbajtja e orarit sikur të ishim sekretarët e tu, vjedhjes që i bën rrogës të secilit prej nesh, është një sulm ndaj opozitës dhe ndaj parlamentarizmit. Ti kërkon që ne, opozita, të mos funksionojmë që të mos kemi mjete që të ndjekim elektoratin tonë dhe të jemi të varur nga fryma e spikeres së Kuvendit. Dua t’ju them se ju jeni një nga arsyet se pse ky Parlament nuk funksionon, dhe dua t’u them se kur u thashë se jeni një konkurrente e denjë e Berishës, nuk e thashë si kompliment.
Jozefina Topalli: Më lejoni që të mbështes tërësisht administratën, meqë ju i bëni presion asaj për dietat që nuk ua ka dhënë juve. Unë mendoj se administrata ka vepruar drejt, sepse në grevë të urisë pa vënë gjë në gojë dhe me marrë dieta..kështu nuk shkon. Kështu mendon se duhet t’i kërkoni falje administratës së Kuvendit.
Olta Xhaçka: Kryetarja e Parlamentit ka shkelur e vazhdon të shkelë me te dyja këmbët kushtetutën e ligjet e vendit, Rregulloren e Kuvendit e që së fundmi ka shkelur statusin e deputetit duke i katandisur përfaqësuesit e popullit në punëtorë me mëditje.
Damian Gjiknuri: është dhunuar dy herë në mënyrë të njëanshme Rregullorja që kur opozita ka ardhur në Kuvend, dokumenti i vetëm konsensus. Fatkeqësisht është dhunuar statusi i deputetit jo vetëm me instrumentet financiarë, që nuk janë teka, por ushtrim i funksionit të deputetit.
Jofefina Topalli: Konstatoj prej disa ditësh keni hequr dorë nga transparenca dhe u duket dita më e zezë, dita kur kërkoni dietat për grevën e urisë. Ju vë në dijeni se kjo nuk është parimi dhe principi themelor i të drejtave të njeriut. Do respektohet pikë për pikë rregullorja.
Taulant Balla: Zonja Kryetare, na je bërë si brigadierja Lume te filmi “Parullat”. Sepse ti moj zonjë, ke një problem shumë të madh, di të përdorësh vetëm gomën dhe jo lapsin, di të fshish por jo të ndreqësh. Ti na flet për transparencë, por nuk do të vonojë dita kur shqiptarët të marrin vesh që kanë një kryetare Parlamenti, që merr 17 milionë lekë në vit për të paguar një apartament në Shkodër. Për 5 vjet me radhë ka marrë 27 300 mijë euro si dieta për udhëtimet. Mos guxo të fyesh grevën e urisë sepse greva është ngritur si institucion dhe ky institucion nuk mund të fyet nga njerëz pa shkollë si puna jote.
Jofefina Topalli: Zoti Balla, ju vë në dijeni se ju kur ishit në rrugë, në çadra në zgjedhjet tuaja, diplomacia parlamentare ka filluar të funksionojë. Deputetët kanë marrë një angazhim të jashtëzakonshëm, duke miratuar 127 ligje e vendime. Nuk mund të ketë dieta për si ditë hoteli për grevën e urisë, apo nuk ishte grevë?