E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjikë, miratohet ligji, Jo mbulimit të fytyrës në publik

BRUKSEL - Masa ligjore për ndalimin absolut të mbajtjes së mbulesës së plotë në Belgjikë ka marrë aprovimin e parë nga komisioni i punëve të brendshme të parlamentit belg. Dhe nëse kjo masë do të aprovohet në mënyrë përfundimtare nga parlamenti, atëherë Belgjika do të jetë vendi i parë evropian që do të ketë një normë që ndalon absolutisht mbulimin e plotë ose pjesën më të madhe të fytyrës në vendet publike.
Komisioni i punëve të brendshme e votoi propozimin në unanimitet. Megjithatë disa rezerva u shprehën nga të gjelbrit, të cilët janë skeptikë për garancitë juridike të një norme të tillë.
Kjo masë parashikon të bëjë ndryshime në kodin penal në mënyrë që të parashikohet një gjobë, ose shtatë ditë burg, për çdo qytetar i cili do të shfaqet në një hapësirë publike me fytyrë të mbuluar, plotësisht ose pjesërisht, që privon identifikimin. Dhe rrjedhimisht gratë myslimane nuk mund ta mbajnë mbulesën e tyre fetare duke ecur në rrugë, parqe, spitale, shkolla, mjetet e transportit publik dhe në të gjitha hapësirat e tjera publike.
Ligji parashikon përjashtime vetëm për raste festash, siç janë edhe karnavalet, por që më parë duhet marrë autorizimi i komunës përkatëse.
Projektligji pritet të votohet nga parlamenti belg më 22 prill.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›