Belind Këlliçi: Dilni votoni, as unë dhe as Veliaj nuk ua kontrollon dot votën

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ka ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës që të dalin të votojnë për të bërë ndryshimin që meriton kryeqyteti sipas tij.
Duke folur pasi votoi në shkollën “Dora D’Istria” në Tiranë, Këlliçi theksoi se sot është dita që kanë pritur aq shumë qytetarët përgjatë 8 viteve të fundit.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë të votojnë për të kryer detyrën e tyre si qytetar. Ftoj të gjithë të rinjtë dhe ata mijëra qytetarë që në këto 5 muaj që i kam takuar dhe u kam shtrënguar duart dhe duke i parë në sy e duke folur për ndryshimin.
Sot është dita e madhe, sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë që të gjithë. Është dita ku keni në dorë fatet e këtij qyteti dhe ndryshimet i keni vetë në duar”, ka theksuar Këlliçi për mediat.
Këlliçi iu bëri apel të rinjve që të mos marrin kamionin për t’u larguar nga Tirana dhe nga vendi por të shkojnë të votojnë në qendrat e tyre të votimit, pasi sipas tij, as ai dhe as Veliaj nuk ua kontroll dot votën.
“Ndaj kam një apel për rininë, për të gjithë vajzat dhe djemtë e të rinjtë që e mendojnë se kanë më të lehtë që të marrin kamionin për të ikur nga Tirana apo për të marrë gomone për t’u larguar.
U them jo, ju them hajdeni votoni, të votojmë për të ndryshuar të ardhmen e qytetit tonë, për të gjitha ato punë të pabëra, për të gjitha ato abuzime që keni parë në këto 8 vite, për të gjitha shpresa që janë shuar në këto 8 vite. Dilni dhe votoni, askush nuk iu kontrollon dot votën as Erion Veliaj”, theksoi Këlliçi.
/rtsh.al/