Berisha: Qeveria nuk u përfshi në skemat piramidale
TIRANË Në pritjen e organizuar nga organizata Presidentët e Rinj të Kompanive (YPO), përfaqësuesit e të cilës operojnë në fushën e biznesit, Kryeministri Berisha ka folur për politikat fiskale në Shqipëri, duke sjellë edhe eksperiencën e tij personale në këtë drejtim. “Unë jam kardiolog, në politikë hyra pa asnjë njohuri përsa i përket politikave fiskale, por kam qenë një admirues i Ronald Reagan...Kur fituam lirinë, mora librat dhe tezat e tij, dhe kushdo që e ka lexuar, ai shkruan pothuajse në mënyrë holistike, mbi ekonominë, mbi reformat, dhe një prej postulateve të tij është se paraja në llogaritë e individëve privatë ka më shumë vlerë se në llogaritë e qeverisë”, - tha ai. Kryeministri ka folur edhe për skemat piramidale. “Unë e humba pushtetin në 1997-ën, sepse lulëzuan skemat piramidale dhe dola në opozitë. Mbajta një princip, qeveria nuk ishte e përfshirë në skemat piramidale, por çështja ishte: duhet të paguajë qeveria paratë e humbura apo jo? Rivali im i tha shqiptarëve se do të paguajë çdo qindarkë, unë u thashë që nuk mund të paguaj asnjë, më vjen keq, ju i humbët paratë, por një borxh që nuk është i huajtur nuk mund të njihet kurrë, nuk mund të paguhet kurrë, kjo është e vjetër po aq sa njerëzimi. Kështu kalova në opozitë. Shqiptarët ishin të inatosur, por hap pas hapi e kuptuan që ruajta moralin e tyre, dhe ata më rivotuan”, - tha ndër të tjera Berisha.