Bell: Parashikimet e qeverisë shqiptare, tepër optimiste

I pyetur se si po ecën ekonomia shqiptare në kushtet e një kulmi të ri të krizës evropiane, Bell tha se “ka shqetësime të reja përditë. Deri tani ekonomia shqiptare nuk ka ecur keq dhe kjo është pjesë e fenomenit të ekonomive të reja që gjatë vitit të kaluar kanë qenë më imune ndaj krizës se sa ekonomitë perëndimore më të përparuara. Por tani po hyjmë në një fazë të re, të rrezikshme në Evropë. Sot pamë se interesi për bonot e Italisë arriti 7 për qind. Këto janë kohë shumë të vështira në tregjet financiare të gërshetuara me ngadalësimin e ekonomive. Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe evropiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht. Për t’u dhënë një shembull, në se kthehemi tre muaj pas, ne parashikuam se rritja ekonomike për Shqipërinë do të ishte 2,5 për qind këtë vit dhe 3,5 për qind për 2012. Në bazë të zhvillimeve që po ndodhin tani, ne parashikojmë një rritje prej më pak se 2 për qind në 2011 dhe një deri në 1 presje 5 për qind në 2012. Pra këto janë efekte reale që po përcillen nga ekonomitë kryesore evropiane tek ekonomitë e reja dhe partnerët e tyre tregëtarë.
Në lidhje me mënyrën se si mund ta mbushë Shqipëria hendekun e krijuar nga pakësimi i investimeve dhe rënia e të ardhurave nga emigrantët, Gerëin Bell u shpreh se “Shqipëria ka forca dhe ne i theksojmë ato - sistemi solid bankar, një sistem që ndryshe nga sistemet bankare evropiane ende po jep kredi me një ritëm të lartë. Pra shohim një rritje të shëndetshme të kreditit në Shqipëri që nuk e shohim në shumë vende të tjera. Në vend ka besim tek sistemi bankar dhe depozituesit janë të qetë të fusin paratë e tyre. Shohim disa pika të forta strukturore për një mjedis të favorshëm biznesi që jep nxitje për investimet e huaja direkte. Ne kemi shqetësime dhe i kemi theksuar. Ato kanë të bëjnë me borxhin publik. Buxheti që po diskutohet tani parashikon një rritje të shpenzimeve primare prej vetëm pak më shumë se 2 përqind dhe ky është një buxhet i vështirë që do ta quaja ideal, në se borxhi publik do të ishte 30 apo 40 përqind e GDP-së. Por fatkeqësisht borxhi publik është gati 60 përqind dhe në këtë mjedis edhe ai buxhet shumë i vogël, ka rreziqe të mëdha.
Ndërsa lidhur me borxet, Bell tha se ka dy elementë të përqasjes së qeverisë shqiptare ndaj borxhit. “Një është mbajtja nën kontroll e rritjes së shpenzimeve dhe këtë e kanë bërë. Tjetra është shpresa për një rritje më të mirë ekonomike. Por parashikimet tona kanë qënë të sakta gjatë tre viteve të fundit. Në se parashikimet e tyre realizohen do të bëjnë përparim për pakësimin e borxhit. Por pikëpamja jonë është se kjo është shumë e rrezikshme. Ne kemi rekomanduar shqyrtimin e të dy elementëve – për uljen e borxhit duhet të përmirësohen të ardhurat dhe të ulen shpenzimet. Mbajtja e shpenzimeve tek 2 përqindëshi është një objektiv ambicioz, në se nuk parashikon ndryshime strukturore si pakësimi i shërbimeve sociale apo të shërbimeve publike. Në se nuk i bën këto është pothuajse e pamundur të mbash shpenzimet tek 2 përqindshi. Nga ana tjetër është e vërtetë se në se rritja ekonomike do të jetë më e lartë edhe të ardhurat do të ishin më të larta. Në këtë buxhet, sipas mendimit tonë, është llogaritur një rritje prej 8 përqind të të ardhurave, që është sigurisht shumë optimiste. Një element tjetër që kemi rekomanduar është rritja e taksës së sheshtë nga 10 në 15 përqind që është ende tërheqëse. Këto do të kërkonin ndryshime të politikave të tanishme që nuk ka të ngjarë se do të sjellin uljen e borxhit.
Lidhur me përfitimet e Shqipërisë nga kriza greke, Bell tha se krizat sjellin gjithmonë mundësi. “Shqipëria e ka provuar veten si një ekonomi e shkathët që mund të shfrytëzojë rastet, si për shembull zhvillimi i energjisë hidrike, në përgjigje të shqetësimeve të Evropës për uljen e emetimit të gazeve karbonikë, apo zhvillimi i shpejtë i industrisë tekstile dhe këpucëve, ndërsa prodhuesit aziatikë u bënë më të shtrenjtë. Por kriza është gjithashtu një element, që në se je një vend i vogël dhe i varur, të merr me vete pavarësisht sesi vepron. Prandaj ne si FMN po ndihmojmë ekonomitë e zhvilluara për të mos e përçuar këtë efekt tek vendet të vogla si Shqipëria, pasi ky është një rrezik real./Start/
2011-11-12 09:52