E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: Gega trajner i U-21-shit, Strakosha i U-19-s

Kreu i FSHF-së, në një konferencë për shtyp, ka zbuluar ndryshimet te përfaqësueset e moshave, ndërsa brenda javës do të vendosë për trajnerin e kombëtares A

Kur të gjithë prisnin zyrtarizimin e Besnik Hasit në krye të kombëtares, Armand Duka, presidenti i FSHF-së, e ka shfrytëzuar takimin me median për të njoftuar ndryshimet në stafet e përfaqësueseve të moshave. Artan Bushati largohet nga drejtimi i përfaqësueses U-21 për tu zëvendësuar nga Skënder Gega, ndërsa vendin e Gegës te U-19 e merr Foto Strakosha, ish-portieri i kombëtares në vitet 1990-2005.

Në prag të ndeshjeve zyrtare të ekipeve tona kombëtare, dua të njoftoj ndryshimin e trajnerit të ekipit U-21. Artan Bushati është larguar nga drejtimi i ekipit me dëshirën e tij dhe këtë detyrë do ta marrë ish-trajneri i ekipit U-19, zoti Skënder Gega, i cili do të fillojë punë që nga dita e nesërme. Ndërsa vendin Gegës tek U-19 do ta marrë një tjetër ish-futbollist i ekipit tonë kombëtar, Foto Strakosha.

Bushati ka punuar seriozisht me ekipin kombëtar U-21, ka dhënë maksimumin e tij për të marrë rezultate, por në futboll nuk është vetëm puna e një trajneri apo e një lojtari, ka shumë faktorë që ndikojnë. Ndryshimet e trajnerëve janë bërë në vazhdimësi, pasi futbolli ky është dhe posti i trajnerit është i lëvizshëm. Brenda kësaj jave, së bashku me trajnerët do të bëjmë kompletimin e stafit për të filluar menjëherë aktivitetin dhe për të qenë të gatshëm, deklaroi Duka.

Trajneri i kombëtares, brenda javës Brenda kësaj jave do të caktojmë trajnerin e ri, i cili do të nisë menjëherë nga puna për përgatitjen e dy ndeshjeve miqësore të muajit nëntor me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë. Kemi disa projekte që po i shohim dhe i kemi vënë një dead-line vetes, që këtë javë ta mbyllim. Ju si emra i keni komentuar, ndërsa ne i kemi kontaktuar. Kontrata do të negociohet.

Nuk mund ti vendosim vetëm ne kushtet. Financa është e rëndësishme, por më e rëndësishme është që kombëtarja të ketë një teknik të mirë, që ta ndihmojë në realizimin e objektivave të saj. Personalisht, fatmirësisht ose fatkeqësisht, po tentoj të paguaj sa më pak.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›