E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bella kërkon një Elbasan pragamatist me Butrintin

Nga Elton Karaj

Mbrojtësi verdheblu Aldo Bella thekson se në këtë moment janë më të rëndësishme pikët dhe për to duhet luftuar fort

Ekipi i Elbasanit ka udhëtuar dje drejt Sarandës, ku sot do të përballet me Butrintin. Verdheblutë e drejtuar nga dyshja File-Dosti pritet të bëjnë kthesën e shumëpritur në transfertë, nëse duan të mbeten në vallen e pretendentëve. Elbasani mban vendin e 5-të në tabelë dhe deri tani nuk ka marrë asnjë 3-pikësh jashtë, ndaj dhe me këtë ritëm do ta ketë shumë të vështirë ta arrijë objektivin.

Mbrojtësi Aldo Bella, një nga titullarët që ka spikatur gjatë ndeshjeve të fundit, thekson se Elbasani shkon në Sarandë me synimin e vetëm për të thyer tabunë e transfertave, pasi në të kundërt do të mbetet shumë prapa me pikë nga rivalët. “Në ndeshjen me Butrintin jemi të dënuar të fitojmë për disa arsye. Së pari, duhet të fitojmë për të mos u larguar nga vendet e kreut, sepse kampionati në vazhdim bëhet gjithmonë e më i vështirë.

Së dyti, duhet të heqim mallkimin e ndeshje jashtë, sepse një pretendent për në superligë nuk mund të përmbushë misionin, nëse nuk fiton jashtë. Do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë dhe të jemi sa më efikasë. Në disa transferta kemi luajtur mirë, por nuk kemi marrë pikë, por tani është momenti që duhen patjetër pikët, pavarësisht nivelit të lojës.

Dua të them se Elbasani duhet të tregohet sa më pragmatist. Këtë radhë kam bindjen se do të kthehemi fitimtarë, shprehet mbrojtësi verdheblu. Bella do të luajë sot në qendër të mbrojtjes, ku do të zëvendësojë të dëmtuarin Sekseni, i cili nuk ka arritur të riaftësohet në kohë.

Vlerësim kundërshtarit Më tej, Bella thotë se kundërshtari është për tu marrë në konsideratë, sepse në fushën e tij jep gjithçka. “E respektojmë Butritin, që në fushën e tij luan futboll me nivel. Është një kundërshtar i fortë, por ne do të bëjmë maksimumin për të fituar. Kemi një favor, që ndeshja do të luhet pa praninë e tifozëve, ndaj dhe do të jemi të qetë në fushë për të dhënë më të mirën.

Dihet që tifozëria është një armë e fortë për çdo ekip vendës. Duhet pasur kujdes, pasi ekipi i Butrintit ka lojtarë cilësorë në përbërje, që mund të na rrezikojnë në çdo moment. Ne kemi më shumë përvojë dhe duhet ta shfrytëzojmë atë për të mos gabuar këtë radhë, – ka përfunduar Aldo Bella.

Tri mungesa për verdheblutë
Elbasani nuk dotë ketë sot në fushë 3 nga futbollistët titullarë: Mungesa kryesore është ajo e mesfushori Orges Gava, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe është i pezulluar. Gjithashtu, për verdheblutë do të mungojnë edhe mesfushori tjetër, Endri Dalipi, i cili ka kryer stërvitje të diferencuar gjatë gjithë javës, për shkak të një problemi në kofshën e majtë.

Mungesa e tetë është ajo e mbrojtësit Ardi Sekseni, që ka një dëmtim në gjurin e djathtë. Një lajm i mirë për trajnerin File është riaftësimi i kapitenit Eriol Merxha, i cili ka udhëtuar për në Sarandë, ndërkohë që titular pritet të jetë edhe Egert Kuçi. Formacioni i mundshëm i verdhebluve është: I.Toçi, Merxha, Bella, Kacollja, Kaçuli, Hila, M.Toçi, Olatunji, Kuçi, Galica dhe Tafani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›