E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi: Luftëtari, me karakter të fortë në Kavajë

Nga  SOKRAT PAPADHOPULLI

Besa, që ka një nga sulmet më rezultative, pret sot Luftëtarin, që ka mbrojtjen më hermetike deri tani

Luftëtari, me 2 fitore dhe 1 humbje dhe golaverazhin 3-2 si udhëtues, do të përballet sot me Besën, që si pritëse ka 3 fitore dhe 1 humbje, me golaverazhin 7-4. Pra, të dyjave u mungon barazimi në këto përballje dhe, nëse ky rezultat do të regjistrohet pikërisht sot, më të kënaqur do të jenë gjirokastritët. Janë dy ekipe që kërkojnë kthimin në superligë, objektiv që arrihet me sa më shumë pikë të grumbulluara.

Luftëtari qëndron në krye, duke pasur 1 ndeshje më pak, kurse Besa është e 4-ta, me 5 pikë më pak. Këto diferenca kuptohet që e bëjnë takimin jo vetëm interesant, por edhe tepër të fortë, pra do të jetë një 90-minutësh për nerva të çelnikta. Për këtë ndeshje, trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, thotë:

Jemi në krye të renditjes dhe gjithë kujdesi ynë është që të vazhdojmë me ritmet që kemi avancuar deri tani. Kjo nuk është aspak e lehtë, pasi ka disa ekipe që kanë pretendime serioze. Kështu, nesër (sot) kemi përballjen me Besën në fushën e saj, që është nga më të vështirat. Ekipi ynë gërsheton sulmet frontale me kundërsulmet dhe jo pak herë luajmë edhe me tre sulmues.

Dua të theksoj se Devolli dhe Nora, të cilët u kthyen këtë sezon te Luftëtari, sollën një frymë të re, atë të lojës sulmuese, dhe kjo bën që Luftëtari, si brenda, ashtu edhe jashtë fushe, të aplikojë lojën sulmuese, natyrisht pa nënvlerësuar aspak mbrojtjen. Këtë gjë besoj se do të bëjë edhe Besa nga ana e saj. Edhe pse përballja, si kundër e theksova, është ndër më të vështirat, shpresojmë të marrim një rezultat të favorshëm, duke u mbështetur në aktin që grupi ynë do të manifestojë, karakter të fortë, si rezultante të të gjithë atyre që do të luajnë.

Formacioni Ekipi gjirokastrit pritet ta nisë ndeshjen e sotme me këtë formacion: Selimaj, Gaxhaj, Sinani, Shalari, Baci, Çaço, Stoja, Devolli, Ramadani, Mersini (Raboshta) dhe Nora. Dje, në orën 10:00, në stadiumin Gjirokastra u bë seanca e fundit stërvitore dhe, në orën 14:00, u bë nisja për në Durrës, për të shkuar sot në Kavajë.

 

I gatshëm edhe Stoja, klubi paguan gjobën

Gjirokastritët janë përgatitur dhe kanë në dispozicion të gjithë futbollistët e tij më të mirë, duke përfshirë edhe Stojën, i cili fitoi të drejtën të luajë, pasi klubi i Luftëtarit pagoi 330.000 lekë për likuidimin e ndëshkimit të tij të mbetur. Lajmin e konfirmon sekretari I këtij klubi, Besim Brahimi. Të mërkurën, në ndeshjen e kontrollit u dëmtuan lehtë 2-3 titullarë, nga të cilët edhe Raboshta, por pritet që ata të luajnë sot.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›