E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi, i gjithi në sulm ndaj Himarës

Nga Kristi Lilo

Gramozi është i angazhuar tërësisht për të nxjerrë një ndeshje të suksesshme me Himarën. Trajneri Ilir Qirjako pohon se ekipi është në gjendje shumë të mirë pas barazimit me Vlorën në transfertë. Rezultatet pozitive të javëve të fundit e kanë rritur besimin dhe sigurinë e futbollistëve tanë. Fakti që Gramozi nuk njeh humbje në fushën e tij tregon se mund ta arrijmë objektivin, që është ngjitja në superiore.

Gramozi e respekton kundërshtarin e radhës dhe do të futet në fushë për të zhvilluar një ndeshje të bukur dhe për ta fituar atë. Forma e mirë e futbollistëve dhe fakti që luajmë në fushën tonë na jep të drejtën të mendojmë se do të dalim fitues. Ekipi është i motivuar plotësisht për fitoren e radhës në shtëpi, sepse ndeshja me Himarën është e rëndësishme, është shprehur për Sportin shqiptar trajneri Qirjako.

Ai pritet të hedhë në fushë një formacion sulmues, pasi për herë të parë do të luajnë që nga minuta e parë 3 sulmues, që janë Saliko, Nelaj dhe Hysolli. Kjo do të thotë se do të  ndryshojë skema e lojës, duke kaluar nga 4-4-2 në 4-3-3. Në portë do të jetë Dervishi, si gjithmonë, në mbrojtje Kodra, Peçi, Shehu dhe Lamaj, në mesfushë Bilibashi, Shupe dhe Omeraj, dhe në sulm treshja Saliko-Nelaj-Hysolli. Megjithatë, trajneri kolonjar ka provuar gjatë gjithë javës edhe futbollistë të tjerë, të cilët kanë treguar se kanë vlera reale për këtë ekip, kur u është dhënë mundësia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›