E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampioni sfidon liderin

Xhiroja e trembëdhjetë do të vë përballë kampionin aktual të Kosovës, Hysin dhe Liderin e Superligës, Prishtinën. Bardhezinjtë objektiv të vetëm kanë fitoren për t’i hyrë seriozisht luftës për titull. Por, pikët e plota i kërkojnë edhe bardhekaltrit për ta ruajtur vendin e parë.

Kryendeshja e xhiros së trembëdhjetë e Superligës do të zhvillohet në Merdarë mes dy rivalëve të mëdhenj të viteve të fundit, Hysit dhe Prishtinës, të cilët javëve të fundit po kalojnë nëpër një formë shumë të mirë.

Kampioni aktual, Hysi e pat nisur dobët këtë stinor, mirëpo me emërimin e trajneri të ri Jusuf Tortoshit, ekipi u është rikthyer rezultateve pozitive. Aktualisht, bardhezinjtë pozicionohen në vendin e pestë në renditjen tabelore me 18 pikë të tubuara, tetë më pak sesa kryesuesi Prishtina.

Mirëpo, llapjanët do të përpiqen të shtunën ta mposhtin kryesuesin e Superligës dhe në këtë mënyrë të futen në garë për titull të kampionit, që sivjet po kërkohet me ngulm edhe nga disa skuadra tjera, si nga Drita, Vëllaznimi e Trepça ’89.

“Jemi përgatitur mirë për këtë takim, i cili nuk do të jetë i lehtë. Më në fund jemi rikthyer në formë të mirë dhe kemi vetëbesim se mund ta mposhtim Prishtinën. Pra, ne besojmë në fitore për t’i hyrë akoma më seriozisht luftës për titull të kampionit, nga i cili trofe nuk do të heqim dorë deri në fund”, ka deklaruar për Express kapiteni i bardhezinjve, Mentor Zhdrella.

Mirëpo, vendasit nuk do ta kenë të lehtë ta arrijnë objektivin, pasi edhe prishtinasit synojnë që nga Merdara të kthehen me tri pikë të plota.

“Jemi të stërvitur shumë për këtë sfidë, duke e ditur se nuk do ta kemi të lehtë përballë Hysit, të cilin e respektojmë. Por, renditja tabelore e pasqyron fuqinë e Prishtinës, andaj ne besojmë se do të luajmë fortë edhe në Merdarë dhe do se t’i fitojmë tri pikë të reja”, ka thënë portieri i bardhekaltërve, Flamur Neziri i cili shpreson të mos pësojë gol nga ish skuadra e tij. Po të shtunën zhvillohen edhe katër takimet e tjera të kësaj jave.

Superliga – Xhiroja e 13-të

E shtunë

Drita – Drenica

Vëllaznimi – Liria

Trepça – Gjilani

Lepenci - KEK-u

Hysi – Prishtina

Ndeshjet nisin nga orën 13:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›