E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një letër e vjetër për Azem Hajdarin

Nga Bislim AHMETAJ

Për nisje

Bislim-AhmetajNë dhjetë vjetorin e ndarjes tënde fizike prej nesh të pata dërguar një letër publike nga Japonia e largët e cila u botua në shumë të përditshme me 12 shtator të 2007-ës. Sot pas pesë vitesh kur e rilexova atë tekst në një web më mbërthyen emocionet. Ndoshta largësia, nostalgjia e moshës, ndoshta edhe ndryshimet, skutat dhe dredhat e kohës në të cilën kemi kaluar përgjatë këtyre viteve ma shndërruan rileximin e kësaj letre në një ndjenjë malli por edhe analize të përpjekjeve dhe angazhimeve për vlerësimin e figurës dhe veprimtarisë tënde në ato pak vite jetë aktive në politikë sa çtë lanë t’i jetoje kundërshtarët e tu politikë, me nxiti ta ridërgoj për botim.

Letra.

Hej mik, vëlla, shok, lider a kryetar, si të duash po të thërras, ti të gjitha i ke, jo vetëm për mua, për shumë kënd në Shqipëri e ngado që flitet shqipja. Ti e meritove këtë emër qysh në ditët e para dhjetorit 90, kur të ndoqëm pa pikën e hezitimit se vetë na the që për demokracinë kishe vënë në hipotekë dy fëmijët e tu e vërteta doli se për demokracinë, Shqipërinë, çështjen tonë kombëtare ti kishe vënë në hipotekë jetën tënde. Por lëre ta harrojmë dhimbjen, bile edhe lavdinë për një çast. Sështë ky shkaku që po të shkruaj. Tjetërçka më ka shtyrë të gërmëzoj. Dua të të kërkoj falje. Jam larg, larg, shumë larg, jam në Lindje, jo në të Afërmen, jo, jo, as në të Mesmen, jam në Lindjen e Largët. Nuk ka më larg se jam, jam në Japoni, në fund të saj, në Obihiro. Desha të të kërkoja falje që nuk tu gjenda pranë në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike. Para se të nisesha për në Japoni, i bëra një kërkesë Presidentit te Republikës, zotit Topi, ku i kërkoja që të nderonte Liderin e Lëvizjes Studentore (pra, ty) me Urdhrin e Lartë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai u përgjigj me gojë dhe me dekret: Po. Rruga për në Japoni kaloi nëpër Romë, ku vizitova edhe një herë pothuaj të gjithë krenarinë e Romës. Ngjitur me Fontana di Trevi është Vicola Skanderbeg në fund të rrugicës sheshi Skënderbeg, dhe shtëpia e Skënderbeut, e shndërruar në Muze Nacional të Italisë. Shkova edhe te sheshi Albania ku ngrihej madhështor monumenti i Skënderbeut. U ndjeva krenar miku im, prijësi ynë i lirisë, por edhe u trishtova, u ligështova, u ndjeva ngushtë. Ti e çlirove vendin tënd nga prangat e Lindjes ku e kishte mbyll diktatura, ti i prine lëvizjes që u ktheu shqiptarëve Perëndimin. Pse vallë nuk duhet ta kesh një përmendore në më të madhin shesh që ka Shqipëria, pse jo ballë për ballë me Skënderbeun? Ai flijoi vendin e tij për të mbrojtur Perëndimin, Krishtërimin, ti e ktheve atë te shqiptarët, ti i çele portat e ndryshkura të Shqipërisë drejt Perëndimit. Shqipëria, vendi yt, i imi, është i mbushur edhe sot e kësaj dite me monumente mostrash që kanë vrarë njerëz. A thua kaq e vështirë është të gjendet një vend dinjitoz siç ti e meriton ku të vendoset përmendorja jote, përmendorja e Liderit të Lëvizjes Studentore. Ti tashmë je një monument-kujtim i vlershëm guximi, kurajoje, qytetarie. Je një medalje në gjoksin e çdo shqiptari që e do vendin e tij, që e do dhe çmon lirinë dhe demokracinë për vetën dhe për të tjerët. Miku im, lideri dhe kryetari im i parë, të betohemi unë dhe gjithë ata që të ndoqën në rrugën tënde të lirisë se nuk do të lëmë gur pa luajtur që ty të të kthehen të gjitha vlerat dhe vlerësimet që ti meriton. Miqtë e mi të Grupimit Dhjetor 90 do të ti bëjnë të gjitha nderet në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike, por edhe unë këtu në Obihiro do të kujtoj me mall dhe dhimbje, miku im, lideri ynë… Azem Hajdari!

Për mbyllje

të mallit e nostalgjisë që më ngjalli rileximi i kësaj letre të cilën pata dëshirë ta rindaja me lexuesit mund të konstatoj pa kurrfarë mëdyshje se Azem Hajdarit , mikut, vëllait, shokut, liderit, kryetarit e shqiptarit të mirë në këto 15 vite si asnjë personaliteti tjetër të jetës politike në historinë moderne të Shqipërisë i janë bërë të gjitha nderet dhe vlerësimet që mund ti bahen një politikani, burri shteti, atdhetari. Ai i ka merituar të gjitha këto nderime dhe sot ne këtë 15 vjetor të mungesës së tij fizike eshtrat e tij i mekoj Nëna Shqipëri. Shpirti i tij i lirë triumfoj mbi çdo lloj gracke e skute ku u munduan ta kurthojnë, mbi çdo lloj intrige, skenarësh dhe izolimi që kanë tentue ta ngujojnë, sot shpirti i tij i lirë flatron i qetë, krenar e ngadhënjimtarë mbi të gjitha hapësirat ku flitet shqipja. Yll ndër yje, atje ku është në qiell sot Azem Hajdari shndritë më shumë se kurrë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›