I dashur armik !
Godina e Lëvizjes Socialiste për Integrim në vijë ajrore është jo larg asaj të Partisë Socialiste. Kjo afërsi nuk ka shërbyer aspak për të ngrohur komunikimin mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Dy "elefantët" e opozitës kanë kohë që nuk takohen. Më keq se kaq, nuk përdorin më telefonat apo mesazhet. E teksa pritej një afrim, ata i janë rikthyer komunikimit përmes letrave. Nuk dihet nëse Rama dhe Meta do të preferojnë që të përdorin më tutje korrierët apo shërbimin postar për të çuar mesazhet njëri-tjetrit. E sigurt tanimë është vetëm ndarja e pariparueshme. Një proces që ndodhi në fundin e vitit 2004 dhe shkaktoi tronditjen e korrikut të 2005-s. Humbja e zgjedhjeve parlamentare prej të majtëve shkaktoi irritim dhe urrejtje mes simpatizantëve të LSI-së dhe PS-së. Reaksioni dhe ndasia ishte aq e fortë sa edhe shtrëngimi i duarve mes Ilir Metës dhe Edi Ramës në fillim të vitit 2006 nuk arriti të bindte socialistët "e vjetër" dhe ata "të rinj" të bënin të njëjtën gjë. U desh që pesë kryetarët e partive të opozitës të ndërmerrnin një nismë për dialog me bazën. Misioni kryesor i së cilës ishte që të afronte sa më shumë elektoratin drejt një fronti opozitar të bashkuar. Prova e parë për krijimin e këtij grupimi të madh, larg ndarjeve të vjetra, ishin zgjedhjet për pushtetin lokal. Negociatat e ndarjes së zonave zgjedhore nxorën në pah faktin se çarja mes socialistëve ishte vërtet serioze. Në 10 njësi vendore nuk u arrit kurrsesi të dilej me kandidatë të përbashkët. Dhe deri në ditët e fundit para 18 shkurtit kampet dhe shtabet elektorale respektive punonin nën rrogoz kundër njëri-tjetrit në zona të caktuara. Aty ku nuk duhej ose nuk u arrit dot binjakëzimi mes simpatizantëve të dy partive. Fitorja e zgjedhjeve kontribuoi më shumë në ngjizjen mes mbështetësve në bazë, por duket se shënoi edhe fillimin e fundit të afrimitetit në qendër. Llogaritjet e ngushta mes liderëve shkaktuan ftohjen e menjëhershme mes Ramës dhe Metës. Sakaq, shkëmbimet e deklaratave në distancë dhe përmes medias po i shërbejnë më shumë çorientimit të elektoratit poshtë. Simpatizantëve që pak muaj më parë ju dha komanda "pajtim", tanimë po u ofrohet një komandë tjetër, ajo e "rindarjes". Ftesat dhe gatishmëria e Ramës për bashkëpunim me Ilir Metën duket se sfumohen teksa asnjë veprim konkret nga ato që pretendon kreu i LSI-së nuk po kryhet. Socialistët qartazi nuk po investojnë për një ribashkim me Metën apo aleatët e tjerë. As tryeza e kryetarëve të opozitës nuk u mblodh, duke lënë të kuptohet se shpërbërja e koalicionit ishte e pashmangshme. Nga ana tjetër, Meta po shfaq shenja të pakuptueshme teksa u tregua i gatshëm të bëjë lëshime në pjesën më themelore të kundërshtimeve të tij, reformën zgjedhore dhe sistemin elektoral. Teksa i ofroi Ramës ofertën e fundit, kreu i LSI-së më shumë se kaq krijoi idenë se mund të pranojë kompromise në kurriz të një çështjeje që e ka trumbetuar me të madhe që nga zgjedhjet e korrikut 2005. Tanimë ka ardhur momenti. Rama dhe Meta duhet të bashkohen ose të kërkojnë falje. I pari për lutjen që u bëri socialistëve të duartrokisnin Ilir Metën dy vite më parë, ndërsa i dyti për mbështetjen që i dha Ramës në konsolidimin e pushtetit të tij politik dhe partiak.