E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, më 18 prill u mbyll miratimi i zonave

KRRTRSH, më 18 prill të këtij viti mbylli miratimin e zonave informale. E thënë ndryshe, nga 18 prilli janë evidentuar të gjithë zonat, mbi 5 hektarë, që kanë ndërtime pa leje.

Pjesa tjetër e ndërtimeve, të grupuara në zona më të vogla, do të marrin OK nga KRRT-të e bashkive për t’u bërë pjesë e procesit. Sipas të dhënave, në rast se do të shpërndaheshin tapitë, pritet që në treg të legalizohen banesa dhe objekte pa leje, me një vlerë hipotekare prej 6 miliardë eurosh. Por kjo është vetëm faza e parë e legalizimeve. Tani ALUIZNI-t i ngelet detyra kryesore, ajo e evidentimit dhe kryerjeve të procedurave për dhënien e tapive. Në bazë të ligjit, tani banorët duhet të plotësojnë formularët për të arritur në fazën e pagesave dhe në fund të dhënies së tapive për shtëpitë. Deri më tani janë përpunuar 120 mijë pasuri me mbi 5 hektarë, me një sipërfaqe ndërtimore prej 3000 ha dhe me një kosto që futet në treg prej 6 miliardë eurosh që janë miratuar në KRRTRSH-ja, ndërsa 80 mijë pasuri të tjera janë në proces legalizimi. Sipas të dhënave, janë 200 mijë pasuri të identifikuara në terren, ndërsa janë edhe rreth 150 mijë shtesa individuale pallatesh të ndërtuara para dhe pas vitit 1993, të cilat do të përpunohen nga specialistë të ALUIZNI-t.
Qytetarët që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, do të kenë 10 për qind ulje në çmim, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën do të kenë një zbritje 20 për qind të çmimit. Ndërsa mënyra e tretë për të shlyer pagesën e një ndërtimi pa leje, është likuidimi me këste ose nëpërmjet sistemit të kredisë. Ndërkohë, kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 3000 mijë lekë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar, menjëherë do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qytetarët që të marrin titujt e pronësisë, nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacion i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik, është dokumentacion i certifikuar dhe i zyrtarizuar me të gjitha të dhënat e pronësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›