E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, PS : Mos lejojmë Berishën të rrezikojë zbatimin

Tiranë- Pas miratimit të Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste ka kërkuar garanci për afafet e mbylljes së regjistrit kombëtar të zgjedhësve dhe kartat e identitetit për çdo votues.

Gjatë një konference për shtyp, sekretari për çështjet organizative në PS, Blendi Klosi ka deklaruar se pas miratimit të kodit, nis një etapë e dytë shumë e rëndësishme, që ka të bëjë me detyrat ekskluzive të qeverisë për ta garantuar Kodin e ri Zgjedhor.

“Përgjegjësia jonë deri dje ishte të realizonim kodin, sot e deri në zgjedhje është të mos e lejojmë Sali Berishën dhe qeverinë e tij ta rrezikojë vënien në jetë të tij duke iu shmangur përgjegjësisë kushtetuese e ligjore për të garantuar infrastrukturën zgjedhore”- ka theksuar Klosi.

Ai ka kërkuar nga qeveria përgjigje të saktë lidhur me një sërë çështjes për zbatueshmërinë pa rreziqe të këtij kodi. Sipas tij, kërkon një përgjigje të saktë pyejta se kur Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile do të konsiderohet i përfunduar, i testuar në kuptimin e eliminimit të mangësive dhe të dublimeve, i unifikuar në shkallë vendi dhe i mbrojtur nga ndërhyrjet dhe risqet e mundshme.

Ai ka kërkuar afat edhe për xnjerrjen e listave paraprake të zgjedhësve për çdo qendër votimi, duke krijuar kështu kushtet për të filluar procesi i afishimit dhe i rishikimit të tyre në çdo njësi të qeverisjes vendore.

“Duhet të dimë se në cilën datë do të fillojë prodhimi i kartave të identitetit, cila do të jetë dinamika e shpërndarjes së tyre dhe kur mendohet të përfundojë pajisja e shtetasve me këto karta”- tha më tej ai.

Jo pa rëndësi, sipas Klosit është edhe evidentimi i saktë i shtetasve që janë të pajisur me pasaporta të vlefshme deri në ditën e votimit. Kjo, sepse duhet të gjendet një zgjidhje se si do të veprohet konkretisht në praktikë për të pajisur me prioritet me karta identiteti ata zgjedhës që nuk kanë pasaporta.

“Rregullimin ligjor të ecurisë së këtij procesi Kodi ja lë në përgjegjësi Këshillit të Ministrave, por për vetë rëndësinë dhe sensibilitetin që ka ky problem kërkohet që opozita dhe qytetaret të informohet me përgjegjësi për ecurinë e tij”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›