E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau taksistin në vitin 1997, pranga autorit

Berat- Policia e Beratit në bashkëpunim me organin e Prokurorisë së këtij rrethi kanë arritur të zbardhin një nga dosjet e ngjarjeve të vitit 1997, ku mbeti i vrarë taksisti Rauf Doko, 1 km në dalje të qytetit të Poliçanit. Policia deklaroi arrestimin e Edmond Xhelajt, 30-vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e Dokos në maj të viti 1997, në bashkëpunim me disa persona të tjerë ende të pa arrestuar.

Arrestimi i tij u bë në lagjen “Uznovë”, ndërkohë që ai ka qenë nën hetim prej disa kohësh si i dyshuar kryesor për disa vepra penale të kryera në vitin ‘97 .

“30-vjeçari, lindur dhe banues në lagjen “ Uznovë” të këtij qyteti akuzohet për vrasjen e Rauf Doko nga qyteti i Poliçanit më 5 maj të viti 1997, 1 km në dalje të qytetit të Poolicianit, në rrugën nacionale që lidh këtë qytet me qytetin e Beratit”- thanë burimet policore.

Sipas hetimeve, Doko punonte si taksist në qytetin e tij ku dhe u prenotua ditën e ngjarjes nga 30-vjeçari dhe dy shokë të tij. I arrestuari dyshohet se atë ditë kishte kryer një vjedhje dhe prenotoi taksistin për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Gjatë rrugës për në drejtim të qytetit të Beratit në vendin e quajturQafa e Shën Todit, ata janë grindur mes tyre dhe taksisti ka dëgjuar se çfarë kishin bërë.

Ky ka qenë shkaku që ata kanë vendosur ta eleminojnë. E qëllojnë dhe më pas trupin e hedhin në një kanal. Pas hetimeve të rihapura, dosja konsiderohet e mbyllur dhe autori do të përballet me akuzën e vrajses me paramendim kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›