E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: “Nëpunësit e ZRPP-së janë të korruptuar, që punojnë nën mbrojtjen e politikanëve”



Deputeti socialist, Marko Bello, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, ka hedhur akuza ndaj nëpunësve të zyrave të regjistrimit të pasurive në vend, duke i cilësuar ata streha të korrupsionit që mbrohet nga politikanët. “Sot, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme janë kthyer në xhungla, ku punonjës të korruptuar, me mbrojtjen e hapur të politikanëve në pushtet, marrin e shesin pronën e tjetrit si ta kishin mallin e babait të tyre. Nga depozita apo magazina të ruajtjes së titujve të pronësisë, këto zyra janë kthyer në institucione që lëshojnë tituj pronësie, duke shkelur hapur ligjin dhe Kodin Civil, i cili përcakton qartë mënyrën e transmetimit të titujve të pronësisë: me kontratë, përmes trashëgimisë, dhurimit apo vendimit të gjykatës. Për shkak të korrupsionit skandaloz, vjedhjes dhe grabitjes së hapur, punonjësit e këtyre zyrave kanë denatyruar misionin dhe funksionin që u ka parashikuar ligji, duke krijuar premisat për një konflikt social me përmasa të paparashikueshme, i cili do të kërkojë shumë kohë dhe një kosto tejet të lartë financiare për t’u zgjidhur”, - është shprehur Bello, duke kërkuar reagimin e Prokurorisë dhe të Policisë për këto raste korrupsioni.
Pas deklaratës së Bellos, menjëherë ka ardhur reagimi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, e cila, nëpërmjet një deklarate për shtyp, thekson se i “konsideron deklaratat e Partisë Socialiste të lexuara nga z. Marko Bello si shpifje dhe reagime me motive thellësisht politike. Këto deklarata vijnë për shkak të prekjes së interesave të paligjshme të njerëzve afër Partisë Socialiste, të cilët i kanë trajtuar pronat e qytetarëve shqiptarë në shkelje të plotë të ligjit. Shqetësimet e tij në lidhje me lëshimin e titujve të pronësisë nga ana e ZRPP-së janë trillime dhe vijnë nga mungesa e plotë e njohjes së funksionimit të ZRPP-së. Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme thjesht regjistrojnë aktet ligjore që lëshohen nga institucione, të cilat kanë tagrin ligjor për t’i pajisur qytetarët me tituj pronësie”.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›