Bello: Rama të reflektojë, Kongresi të mos bëjë përjashtime
Deputeti i PS-së, Marko Bello përfaqësues i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe (LMN) deklaroi se "kryetari i PS-së të reflektojë dhe të krijojë frymëmarrje për ato që mendojnë ndryshe në PS". "Ne kërkonim edhe fraksione, oponencë kolektive, gjë që nuk është pranuar. Me sa duket PS ose shumica e saj nuk e sheh të arsyeshme. Ne do të kërkojmë që të aprovohet, por me sa shoh fryma është për të lejuar mendimin ndryshe, por jo veprimin ndryshe në PS. Propozimet janë të njohura. Ato janë depozituar. Janë shprehur edhe më parë. Kemi diskutuar me delegatët për propozimet, për oponencën kolektive. Një pjesë me të cilët unë kam biseduar, thonë që oponenca kolektive kur partia është në opozitë ndoshta nuk është e mirëpritur", tha Bello. Deputeti i PS-së shtoi se "mendoj që të bësh opozitë brenda opozitës është më e vështirë në një kohë që duhet të përqendrohemi tek kundërshtari jonë politik që është PD. Po i ndjek me vëmendje lëvizjet në PS pasi këtu do të duket nëse zoti Rama do ta bashkojë apo do ta përçajë partinë. Unë uroj që zoti Rama të reflektojë dhe të krijojë një frymëmarrje për të gjithë zërat ndryshe brenda partisë sepse në rast se do të veprohet me gjueti shtrigash për të eliminuar ata që mendojnë ndryshe kjo do ta rrudhë PS".