E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Të ngrihet grup i pavarur ekspertësh

Opozita kërkon ngritjen e një grupi hetimor me ekspertë të pavarur dhe ndërkombëtarë për hetimin e ngjarjes së Gërdecit. Deputeti Marko Bello shprehu dje shqetësimin e tij të thellë për ngadalësimin e çuditshëm të procesit hetimor lidhur me masakrën e ndodhur në Vorë, me 15 mars 2008. "Që në fillim, theksoj se avioni me ndihma nga Gjermania, erdhi më shpejt sesa prokurorët në vendin e krimit", konstatoi Bello. Duke shprehur habi për faktin për se është shmangur nga hetimi Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa kjo çështje kaq serioze, u është lënë 2 prokurorëve nga Tirana dhe Durrësi, të sapoemëruar dhe pa përvojën e duhur. Në vlerësimin e deputetit socialist, Bello, nuk mundet një prokuror që heton kontrabandën e domateve, të hetojë një aferë kaq serioze. "Këtë tragjedi që ka në themel një krim makabër, i cili ka shkaktuar 19 të vrarë, qindra të plagosur, mijëra shtëpi të shkatërruara, mijëra njerëz të traumatizuar", sqaroi Bello. Ndërsa shtoi se alibia se bëhet fjalë për "thyerje të rregullave në punë, me pasojë vdekjen", nuk mund të shmangë dot prokurorinë nga përgjegjësia. Sipas tij, ka dyshime serioze, se mafia ka shtrirë duart në mënyrë të frikshme deri në majat më të larta të shtetit. "Situata është serioze, por jo pa rrugëdalje", tha Bello. Sakaq, ai e ftoi publikisht kryeprokuroren Ina Rama, të kuptojë se është përpara një misioni historik dhe të demonstrojë aftësi profesionale, integritet moral dhe paanshmëri politike. "Hedhim poshtë të gjitha propozimet për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, si një tentativë për të futur në kalendat greke këtë tragjedi", theksoi Bello duke iu kundërvënë kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. "Propozoj ngritjen e një grupi të pavarur hetimor, ku të përfshihen edhe ekspertë të pavarur ndërkombëtarë", u shpreh deputeti socialist. Selia rozë në deklarimet e djeshme publike siguroi se po ndjek me vëmendje të jashtëzakonshme të gjithë reagimin dhe veprimin e qeverisë së Kryeministrit Berisha gjatë këtyre ditëve duke filluar që nga dita e tragjedisë e deri sot. "Nuk ka se si të mos shprehim shqetësimin tonë se qeveria e Kryeministrit Berisha është thellësisht përgjegjëse për tragjedinë e Gërdecit dhe mbi të gjitha është thellësisht përgjegjëse për shkeljen e një sërë ligjesh të rëndësishme", insistojnë socialistët. Duke filluar nga Kushtetuta e vendit dhe deri te ligjet që administrojnë fushën, e cila është bërë edhe shkak për atë krim të rëndë të ndodhur në Gërdec të Vorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›