E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Berisha është përgjegjës për situatën

Lëvizja Socialiste për Integrim këmbënguli dje në domosdoshmërinë e dorëheqjes së Sali Berishës. Deputeti Dritan Prifti e cilësoi kreun e qeverisë si përgjegjësin kryesor për tragjedinë e shkaktuar në Gërdec të Vorës. LSI u kërkon forcave të tjera opozitare dhe shoqërisë civile të mbështesin kërkesën në mënyrë që t‘i hapet rruga një hetimi të drejtë, të paanshëm dhe aq shumë të nevojshëm. "Është e papranueshme që dhe pas 4 ditëve nga tragjedia, qeveria nuk ka një evidencë të saktë të dëmeve njerëzore, të pasojave të tmerrshme dhe shkatërrimtare mbi pronën apo pasurinë e banorëve të goditur nga tragjedia", u shpreh Prifti. Sipas tij janë shkatërruar mijëra shtëpi dhe qindra biznese për të cilat qeveria nuk ka vënë në dispozicion asnjë qindarkë. "Jo vetëm që gjithë këto pasoja duhet të ishin evidentuar, por ato duhet të kishin shkuar nëpër agjencitë ndërkombëtare të ndihmave dhe duhet të kishte filluar lëvrimi i ndihmës", argumentoi Prifti. Ai i kërkoi urgjentisht komitetit të posaçëm të emergjencës, që të bëjë transparente pasojat reale të tragjedisë dhe të marrë masa të menjëhershme për t‘u ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga kjo fatkeqësi makabre, të cilët mbeten të revoltuar dhe nga kjo neglizhencë kriminale e qeverisë. LSI i thotë Kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, se nuk janë metodat represive, kërcënuese apo policore ato që qetësojnë situatën dhe njerëzit e revoltuar me të drejtë ndaj qeverisë së tij, por zgjidhja me shpejtësi dhe humanizëm i nevojave jetike të këtyre banorëve të prekur nga fatkeqësia. Prifti mendon se në kushtet e një qeverie të papërgjegjshme dhe antipopullore, e cila dhe ditën e zisë e shpalli nën presion dhe me shumë vonesë, Bamir Topi si kryetar i shtetit duhet të marrë përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese. Kjo me qëllim normalizimin e situatës, për të dalë jashtë formave deklarative mediatike që në thelb synojnë të fshehin përgjegjësitë e qeverisë. "Përgjegjësitë janë vertikale dhe ato fillojnë nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili ka firmosur vendimin e qeverisë për të lejuar aktivitetin kriminal të Gërdecit", vlerësoi Prifti. Ai tha se qeveria ka detyrë kushtetuese të garantojë sigurinë në vend, të garantojë jetën e popullit të saj, të garantojë zbatimin e ligjeve, standardeve të sigurisë dhe punës, për të mos lejuar aktivitete të rrezikshme në zona të banuara. "Apo skena skandaloze të punësimit të minorenëve në mes të barutit e predhave shumëkalibërshe. Këtë përgjegjësi Sali Berisha nuk mund t‘ia heqë vetes, nuk mund ta fshehë", siguroi Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›