E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgim për romanin “Një vit i brishtë” të Halit Shamatës

Halit Shamata ka qenë 36 vjeç në fillesën e një epoke të re për vendin tonë, në nisjen e proceseve demokratike, procese të cilat na shkëputën njëherë e përgjithmonë nga ajo zymtí e pashembullt e fatkeqësive njerëzore. Mund ta quajmë të ri në atë kohë. Viti 1990 përkon me  veprimtarinë e tij letrare, që vazhdoi në mënyrë të pandërprerë gjer në ditët tona. Sido që ka qenë i ngarkuar me punë shoqërore dhe zyrtare, pasioni për letërsinë e drejtoi në një veprimtari të dyzuar: në përkushtim të idealeve demokratike dhe në lëvrimin e disa veprave poetike, fillimisht. Siç është shprehur në një emision letrar, poezia të shpenzon më pak kohë dhe nuk kërkon komoditetin e vendit të punës, studios: të mjaftojnë pena dhe, doemos, çastet e frymëzimit. Mund të përmenden mjaft autorë të shquar që e kanë filluar me vjershat dhe, më vonë, i janë përkushtuar një gjinie letrare që të gozhdon më shumë në tavolinë: romanit. Duke filluar me Kadarenë, që tani kujtohet herë-herë për poezinë, për të mos e braktisur atë, natyrisht; por është romani që e ka përthithur tërësisht, tani.
Shamata, para se të futej në shkrimet e gjata në prozë,  botoi libra me poezi: “Autograf” (1990), “Tatuazh” (1995), “Moshë e pakohë” (1997) “99 paradokse” (1999) e, më tej, vijoi me romanet, duke nisur me “Dyer të puthitura” (2001) e gjer te romani i tanishëm “Një vit i brishtë” (2009), në moshën 54-55-vjeçare (para disa ditësh, më 28 gusht 2009, mbushi plot 55 vjeç. Urime!).
Përveç katër romaneve, autori Shamata ka bërë edhe botime për fëmijë, në përkthim nga italishtja.
*  *  *
Romani i fundit,  “Një vit i brishtë”, është më i vëllimshmi. Ajo që i bie menjëherë në sy lexuesit është fryma demokratike që përçohet në roman. Këtë e theksojmë rëndshëm, sepse jo të gjitha veprat letrare sot spikatin për t’i bërë jehonë së ardhmes përmes të vërtetave historike, që “duan sy” (dhe ndjenjë) për t’i parë qartësisht. Në këtë kuptim, romani shoqëror dhe ai historik përafrohen kurdoherë në tematikën e tyre. Temë të njëjtë ka përshembull “Këneta” e Fatmir Gjatës. Edhe personazhet janë po ata. Por i pari i trajton si armiq, që duhen ekzekutuar; ndërsa i dyti i sheh në mënyrë njerëzore, si viktima të pafajshme, që vuajnë padrejtësisht. 
Për romanin e Halit Shamatës, mund të këqyrim, ta zëmë, kapitullin mbi mërgimin e ambasadave, siç quhej. Ishte i bujshëm, se ishte dyndja e parë, e përmasave të papara dhe të paparashikuara në kohën e gurit të fundit të dominosë, - siç është shprehur Ramiz Alia, për ngjarjet e vrullshme të asaj kohe.  Ajo ngjarje i dha një grusht vendimtar mbetjes së diktaturës e cila, në përpëlitjet e agonisë, kishte grumbulluar kontingjentet e mëkatarëve rreth Ramizit, i cili mundohej, me dhelpëritë e tij, të ruante ç’të mundej nga shembja përfundimtare e një regjimi mizor. Diktatori i fundit i Shqipërisë, me falangat e vullnetarëve të Enverit, e paraqiste vendin tonë, në atë kohë, sikur nuk ishte as Lindje, as Perëndim!
Ndër të pesëmbëdhjetë kapitujt e romanit, ky është ndër më të rëndësishmit. Personazhet e veprës fillojnë të individualizohen që këtu.  Adnan Hukamaj, që shfaqet në fillim të veprës (kap. 1), del këtu, në kapitullin 3, në ambasadë. Është edhe Alfi, e shoqja, lehonë. Numri i vetave të kësaj ikjeje nga sytë këmbët, shtohet e shtohet. Takimet e personave në mjediset e ambasadave janë të rastit; por nuk mungojnë edhe të njohurit, që përfundojnë në të njëjtin vendtakim.
Lexuesi i ri në moshë, nuk e njeh atë kohë. Ai merr në këto faqe, të dhëna  që i ka dëgjuar aty-këtu, por mbase s’i ka lexuar. Nga përbërja e “të arratisurve”, në barkën e Noes, - siç shprehet autori, - kemi punëtorë turnesh, që e merrnin drekën (drekë i thënçin!) me gazetë në punë;  kemi fshatarë të uritur. Natyrisht aty gjenden edhe të përndjekur politikë, që kanë hequr të   zitë e ullirit  burgjeve dhe internimeve, për arsye që sot quhen të habitshme, që kanë qarë hallin, në një rreth njerëzish të pakontrolluar, për shembull, se nuk arriti radha që të merrnin qumështin, në pikë të sabahut. Por syri i mprehtë i shkrimtarit vëren se ka edhe provokatorë, nga ata që janë sy e veshë për të dëgjuar se ç’flet kjo skotë njerëzish të pakënaqur, antipushtet (!): - Po e gjejmë kohën që të lëmë vendin./ -Atdheu është atje ku jetohet më mirë./ -Veçse internacionalistët mendojnë se atdheu është atje ku jetohet më keq./ -Je bërë ca si filozof./ -Epo jemi në strehën e ambasadës së vendit të filozofëve! / -Të shpëtojmë kokën, njëherë, pastaj do të kemi kohën që të filozofojmë. /-Kokën do ta shpëtojmë, édhe sikur derri të fluturojë!/ -S’të kuptova. /-Spiunët?/ -Jo thjesht ordinerët, por edhe oficerët...
Për ditë me radhë njerëzit e Ramizit nuk linin përbaltje pa iu përveshur këtyre hallexhinjve që kërkonin lirinë. Sharje që nuk zinin vend. Sepse krenaria e klasës, punëtorët, ishin aty. E njerëzit do të mernin vesh jo vetëm këtë të vërtetë, por edhe të vërtetën tjetër se në ofiçinën private të punëtorit të huaj, punësoheshinm dhe paguheshin sa trefishi i pagës së këtushme...U rrëzua, si të thuash, një mit. Miti i propagandës false të mirëqenies.
Sot, kur jemi të njëzëshëm për djersën e ndershme të shqiptarit jashtë vendit, kur po llogarisim sesa të ardhura vijnë nga kjo punë e paguar me njëfarë bollëku, në kundërshtim me pagat fiktive të sistemit socialist, na kujtohet sesa sharje me zhargon vulgar kanë marrë këta bijtë tanë nga ata që e kanë rrotulluar timonin , për hipokrizi, 180° majtas. Edhe Shamata e ka interpretimin (letrar) 180°, paçka se djathtas. Në një pikë arrihet. Prandaj folëm për një roman me mendësi  europianiste, çka e bën të demokratizuar veprën letrare.
Shkrimtari ka folur, në atë bisedën televizive që përmendëm, për vështirësitë e njëmendta që ndeshen në nxjerrjen e një romani dinjitoz.
Me të vërtetë, kur lexojmë përpjekjet për të ndërtuar pasqyra të një cilësie të lartë, kemi të bëjmë me një teknologji të tërë, që nga përgatitja e solucioneve  me përbërje të përpikta të përzierjes lyerëse prapa xhamit, gjë e jetësuar me mjaft kompetencë nga njëri ndër vetat e librit Pçka se  pasqyrimi nuk doli i saktësisë së dëshiruar, jo për fajin e mjeshtrit, por për shkak se xhami që do të shndërrohej në pasqyrë, duhej të ishte i paqortueshëm nga ana cilësore. Kështu, një nga titullarët e partisë së mëparshme (kemi edhe retrospektiva), i fyer se nuk i pëlqeu fytyra e vet  në këtë pasqyrë, ngriti versionin e një pune armiqësore! Kuptohen pasojat! Ky episod i dhimbshëm, ngërthehet nga pena e shkrimtarit  në simbolika të thyerjes së pasqyrës në copëza të shumta, që mund të përdoreshin si pasqyrëza në një kohë kur mungonte thuajse gjithçka. . .Humori nuk i mungon këtij humori. Ndonëse i përzier me dhimbjen!
Autori ka shpjeguar sesa përpjekje ka bërë për t’i hyrë thellë teknologjisë së krijimit të pasqyrave, që vepra të jetë e pranueshme edhe për specialistët, ashtu siç është e kuptueshme për shfaqje të tjera të shumta të jetës, nga lexuesi i thjeshtë.
Si u bë i pasur Zhan Valzhani, protagonisti i “Të mjerëve” të Viktor Hygoit, pasi kishte bërë 19 vjet burg, për vjedhjen e një buke në furrë, se po i vdisnin urie fëmijët e së motrës. Kishte ndërruar emrin, pasi kishte dalë nga burgu, dhe kishte hapur një fabrikë qelqurinash. Me zgjuarsinë e tij krijoi ngjyrosjen e xhamit, duke nxjerrë në shitje bizhuterí që shiteshin menjëherë në gratë e pasura. Dhe u bë vetë i pasur. Madje u kandidua edhe për kryetar bashkie, meqë kishte punësuar gratë nevojtare në fabrikën e tij.
Hygoi studio teknologjinë e xhamit të ngjyrosur.
Shamata studio teknologjinë e prodhimit të pasqyrave. Kemi të bëjmë me punën  e mundimshme të shkrimtarit, po të kemi parasysh se të shkruarit e një vepre arti, siç është romani, nuk është një punë që kërkon vetëm talent!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›