Bellopoja, për shpëtimin e Flamurtarit
Abdyl Bellopoja e ka pranuar postin e trajnerit të Flamurtarit me të vetmin qëllim – ta nxjerrë klubin kuqezi nga kriza dhe ta shpëtojë atë pa rënë nga Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.
Trajneri kosovar, i cili e çoi një jetë në klubin nga ‘Xhemajl Ibishi’, e pranoi pa menduar dy herë rikthimin në klubin e tij të zemrës. Me punë, ai synon që Kuqezinjtë prishtinas t’i ngre në tabelë. Aktualisht, Flamurtari gjendet në pozitën e parafundit në tabelë, me vetëm 20 pikë të grumbulluara.
“Jemi të vetëdijshëm se Flamurtari po kalon nëpër momente të vështira. Mirëpo, unë e pranova këtë post me dëshirë, pasi synoj ta kthej atmosferën dhe entuziazmin në klub. Do të punojmë intensivisht”, deklaroi Bellopoja për Express.
Ai premton punë të ‘pamëshirshme’ dhe mobilizim të të gjithëve: kryesisë, shtabit teknik dhe futbollistëve, në mënyrë që flamurtarët të mbeten pjesë e elitës së futbollit kosovar.
“Do të mobilizohemi të gjithë. Ka ende lojë, janë edhe 13 ndeshje deri në fund të sezonit dhe çdo gjë mund të ndodhë. Unë i dua sfidat dhe rreziqet. Ne jemi shumë poshtë në tabelë, por do të mundohemi që gradualisht të ngritemi dhe ta kemi një fund të qetë të kampionatit”, vazhdoi Bellopoja, i cili e zëvendësoi të hënën mbrëma trajnerin Jusuf Tortoshi, që dha dorëheqje.
Ndihmës i Bellopojës në Shtabin Teknik të Flamurtarit do të jetë ish-futbollisti i këtij ekipi, Sylejman Havolli.