E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010-ta, vit i tmerrshëm

Ylli i Francës, Franck Ribery thotë se viti i kaluar ishte i tmerrshëm nga çdo këndvështrim. Ai kërkon falje për sjelljen e tij, gabimet dhe paraqitjet e dobëta në edicionin e kaluar, duke përfshirë debaklin në Kampionatin botëror 2010. I falënderohet selektorit të ri, Laurent Blanc që e ka kthyer përsëri në skuadër dhe synon të shpaguajë besimin e tij. Nga Express më 23 mars 2011 në ora 10:02

Ylli i Francës, Franck Ribery është kthyer në ekipin kombëtar për herë të parë pas debaklit në Kampionatin botëror 2010 dhe kërkoi falje për sjelljen e tij para dhe gjatë vitit dëshpërues 2010.

Para konferencës së tij të parë për shtyp pas Kampionatit botëror, Ribery lexoi një komunikatë në të cilën ai shpjegoi se “kishte gabuar në sjelljet e tij si futbollist gjatë vitit të tmerrshëm 2010 nga çdo këndvështrim”.

“Kam marrë rrugët e gabuara, kam humbur veten”, tha Ribery. 28-vjeçari kishte një sezon për harresë më 2009/2010 kur edhe vuajti nga një lëndim, ndërsa është nën hetime për përfshirjen e tij në skandalin seksual me një vajzë të mitur, ndërsa ishte i suspenduar për humbjen në finale të Ligës së Kampionëve nga Interi pas përjashtimit në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Lyonit.

Gjërat nuk u përmirësuan as në Afrikën e Jugut, gjatë Kampionatit botëror, kur Franca nuk arriti të kualifikohet për në raundin e dytë duke përfunduar në pozitën e fundit në grup. Ribery ishte dënuar për tri ndeshje pas përfshirjes së tij në bojkotin e futbollistëve, pasi Nicolas Anekja ishte dërguar në shtëpi.

“Kam lënduar njerëz, njerëz që janë shumë të dashur për mua, kam dëshpëruar dhe befasuar shumë të tjerë, e fajësoj veten dhe kërkoj falje”, tha mesfushori ofensiv i Bayern Munichut. Ribery kritikoi edhe mediat për tretmanin ndaj tij.

“U thanë gjëra që më kanë shokuar. Kampionati botëror nuk shkoi mirë, nuk isha i mirë në fushë, por asnjëherë nuk kam marrë vendime i vetëm. Në autobus, ne ishim të gjithë aty. Ishim 23 veta, të gjithë vuanim së bashku. Tani dua të kthej faqen, dua t’i harroj të gjitha, fanellën e Francës gjithmonë e kam në zemër. Dua të kthej gëzimin që kisha më 2006”, theksoi ai.

Ribery iu falënderua selektorit të Francës, Laurent Blanc që e ftoi përsëri në ekip dhe ka thënë se është i vendosur të shpaguajë besimin e tij.

“I falënderohem atij për besimin ndaj meje dhe që më ka kthyer në ekipin e Francës. Për mua, skuadra e Francës gjithmonë ka qenë një ëndërr dhe burim i lumturisë. Kam mësuar shumë, jam më i pjekur dhe kam ndërruar sjelljet e mia. Kampionati botëror ishte përvojë e keqe, por kam mësuar shumë. Ai më ka bërë më të fortë. Më është dashur të gjej kënaqësinë e lojës dhe shkallën time. Tani jam duke u kënaqur përsëri me veten”, përfundoi ai. Franca zhvillon ndeshjen kualifikuese për Euro 2012 kundër Luksemburgut më 25 mars dhe një miqësore me Kroacinë katër ditë më vonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›