E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ligjeve kthen mbrapsht ligjin e Qeverisë

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ia kthen mbrapsht qeverisë projektligjin “Për dokumentin elektronik”, pasi u konstatua i hartuar jo sipas standardeve të kërkuara. Deputetët e Komisionit të Ligjeve kanë fajësuar përfaqësuesit e ministrisë së Shtetit për tekstin e paraqitur, duke cilësuar si jashtë teknikës legjislative. Për të dytën herë Komisioni Parlamentar i Ligjeve nuk ka arritur të miratojë ndryshimet e kërkuara për të përcaktuar qartë se çfarë nënkuptohet me një dokument elektronik. “Në mbledhjen e kaluar ju më thatë se do i rregullonit këto përcaktime, pasi më thatë se jo çdo budallallëk mund të quhet si dokument elektronik. Tani shoh se ju nuk e keni kryer këtë ndryshim”, iu drejtua Rusmali specialistëve të ministrisë së shtetit. Juristët e pranishëm nga qeveria theksuan se “hartimi i këtij projektligji ka për qëllim krijimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për njohjen dhe përdorimin e dokumenteve elektronike në Shqipëri dhe vjen si përmbushje e një prej detyrimeve ligjore të Qeverisë në kuadër të angazhimeve të zbatimit të MSA-sw për plotësimin dhe përshtatjen e legjislacionit të brendshëm në përputhje me acquis communataire”. Por, Rusmali ka këmbëngulur se jo çdo material i shkruar në kompjuter duhet të cilësohet si dokument me firmë, duhet të vendosen kritere të sakta. “Unë them çdo broçkull është dokument, apo jo? Na thoni se ky projektligj është direktivë e BE-së, po unë nëse vizatoj në kompjuter, nuk shkruaj, është ky një dokument që duhet ruajtur apo jo”, iu drejtuar Rusmali. Por ekspertja e ministrisë tha se “nëse materiali i shkruar në kompjuter është i firmosur apo jo, atëherë cilësohet si një dokument”. Deputeti i PD-së, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj tha se “një draft i tillë ka mangësi, duket se këta ekspertë e kanë punuar me këmbë një ligj të tillë. Prandaj më duhet të them se duhet kthyer për t’u ripunuar”. Mes deputetëve është rënë dakord që ky draft të ripunohet nga strukturat përkatëse të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›