E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bëmë mbledhje me prindërit, s’akuzuam Elisin për paratë”

 

DURRES/ OERD ULQINI

Në shkollën “Nënë Tereza” nuk është bërë asnjë lloj gjyqi, mbi shumën prej 3 mijë lekësh të reja, e cila u zhduk javën e kaluar. Kjo është deklarata e drejtorit të shkollës, Petro Lafo, e cila është depozituar edhe në policinë e Qarkut. Të enjten e kaluar në shkollën 9-vjeçare është organizuar një mbledhje me pjesëmarrjen e drejtorisë, prindërve, shokëve të shkollës dhe mësueses kujdestare. Në këtë takim ku u diskutua humbja e parave për pagesën e rojës pjesëmarrës ishte edhe Elisi, bashkë me një nga prindërit sipas drejtuesit të shkollës. Por Lafo shprehet prerazi se ka qenë thjesht një mbledhje transparente, ku askujt nuk i është treguar gishti si fajtor. Ndërgjegjja e drejtorit duket e qetë, pavarësisht se që prej një jave kur Elisi u zhduk nga familja, ka përjetuar strese të panumërta, si thirrjet në polici, apo mbërritjet e hetuesve në shkollë për të marrë deponimet. “Unë dhe askush tjetër nga mësuesit apo nëndrejtorët nuk ka bërë asnjë lloj gjyqi. Në mbledhje kam deklaruar vetëm këto fjalë: Unë nuk dua emër. Unë nuk dua të dënoj njeri. Nuk dua të më gjeni paratë, pasi ato do t’i fus nga xhepi im. Dua vetëm që kjo çështje të mbyllet këtu. Për këto fjalë që kam thënë janë të gjithë dëshmitarë në atë takim, mësues, nxënës dhe prindër”, u shpreh për “Panorama”, drejtori Petro Lafo. Ai nuk merr përsipër të shpjegojë se si ka rrjedhur ngjarja jashtë oborrit të shkollës duke thënë se “për këtë nuk ka asnjë informacion”. Nga ana e tyre, familjarët e 14-vjeçarit mësohet se kanë akuzuar shkollën se nuk i kanë lajmëruar për atë që kishte ndodhur, duke mohuar pasjen në dijeni për humbjen e parave.
Lajmi i arratisë së nxënësit ka mobilizuar në maksimum edhe Drejtorinë Arsimore të Durrësit. Titullari i saj Vaso Papaj shprehet se “e kemi ndjekur ngjarjen me mjaft përgjegjësi qytetare dhe prindërore”. Më tej drejtori i DAR., deklaron se është një ngjarje, që ka ndodhur jashtë shkolle dhe kjo duhet parë në shumë drejtime. “Unë jam interesuar personalisht dhe di që ky nxënës nuk ka qenë aspak problematik në shkollë”, tha Papaj. Sipas tij kjo arrati është një sinjal i fortë për rolin më aktiv që duhet të luajë psikologu i shkollave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›