E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Bernanke: Europa, e angazhuar për të mbrojtur euron

Deklarata

Liderët europianë janë angazhuar për të siguruar mbijetesën e euros dhe kanë fonde të mjaftueshme për të përballuar detyrimet e vendeve të BE-së, që kanë një borxh publik shumë të madh. Kështu deklaroi presidenti i “Federal Rezerve”, Ben Bernanke. Në një fjalim të mbajtur në “Woodrow Wilson Center” në Uashington, Bernanke tha se 750 miliardë euro të vëna në dispozicion nga paketa e stabilizimit janë “shumë para” dhe mjaftueshëm për t’i mbrojtur Greqinë, Portugalinë e Spanjën për disa vjet nga tregjet jo të qëndrueshme financiare. Gjithsesi, Bernanke pranoi se investitorët nuk janë akoma të bindur që problemet financiare të Europës janë zgjidhur. Sipas tij, mund të jenë të nevojshme fonde europiane shtesë dhe se SHBA do e mbështesë me çdo mjet të mundshëm. “Liderët europianë janë shumë të angazhuar të bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur euron, Eurozonën, për të mbrojtur projektin europian dhe shmangur problemet financiare që mund të dalin”, tha numri një i “FED”-it. Duke folur për ekonominë amerikane, Bernanke pranoi se është në gjendje për të shmangur një “recesion të dyfishtë”. Megjithatë ai theksoi se rruga e shërimit është e moderuar, duke marrë në konsideratë thellësinë e recesionit dhe se numri i të papunëve do të ulet vetëm gradualisht. Bernanke saktësoi se nuk janë vetëm vendet e Eurozonës që kanë probleme me borxhet. “Edhe SHBA duhet të tregojë kujdes në këtë situatë të tillë. Deficiti duhet çuar brenda kufijve të qëndrueshëm dhe situata duhet mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm”. Sigurisht që shifrat nuk janë shumë inkurajuese: për vitin 2011, Shtëpia e Bardhë parashikon një deficit federal më shumë se 10 për qind i GDP-së, ndërsa borxhi publik ka prekur kuotën e 12880 miliardë dollarëve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›