Boshard: Kujdes me korrupsionin, ndikon te vizat
Qeveria duhet të vazhdojë të bëjë shumë kujdes me korrupsionin, pasi eliminimi i këtij fenomeni është një nga kushtet për liberalizimin e vizave. Kjo ishte deklarata që bëri dje ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernard Boshard, gjatë një ceremonie, ku së bashku me Kryeministrin Berisha inauguruan hapjen e sportelit me një ndalesë të aplikimeve energjetike. Problemet me korrupsionin dhe lufta kundër këtij fenomeni ishin në fokus edhe të fjalës së Kryeministrit Berisha të mbajtur gjatë ceremonisë me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Qendrës Kombëtare të Licencimit. Sipas Kryeministrit, ishte koha kur shoqëria shqiptare të shpëtonte nga një “kancer”, siç ishte fenomeni i korrupsionit.
BoshardAmbasadori gjerman në Shqipëri, Bernard Boshard, gjatë ceremonisë së përurimit të hapjes së sportelit me një ndalesë të aplikimeve energjetike, me financim të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik theksoi problemet që ende ekzistojnë në vend me korrupsionin. Boshard deklaroi se korrupsioni vijon të mbetet një problem serioz për Shqipërinë dhe qeveria duhet të jetë e kujdesshme. Duke folur për themelimin e QKL-së, Boshard theksoi se krijimi i saj nga ana e qeverisë ishte një sinjal pozitiv, i cili u vlerësua edhe nga ndërkombëtarët. “Ndërtimi i kësaj qendre tregoi se qeveria është e angazhuar për të luftuar zvarritjet dhe burokracitë. Megjithatë, më duhet të them se edhe pas krijimit të kësaj qendre, korrupsioni mbetet një problem serioz në vendin tuaj", theksoi ambasadori i Gjermanisë. Sipas tij, themelimi i kësaj qendre ishte i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, pasi lehtësoi procedurat e licencimit, duke shmangur krijimin e ekonomisë joformale. Por kujdesin me çështjen e korrupsionit ambasadori Boshard e lidhi edhe me aspiratat e Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të vlerësohet me seriozitet, pasi është një nga kriteret kryesore që ka Bashkimi Europian për integrimin dhe liberalizimin e vizave”, theksoi ambasadori.
BerishaKryeministri Berisha deklaroi dje në njëvjetorin e ngritjes së QKL-së, se frymëzimi për të ngritur një qendër të tillë erdhi së pari për një luftë sa më serioze për korrupsionin. Sipas Berishës, qeveria që ai drejton është e vendosur për të marrë çdo masë për ta luftuar këtë fenomen, të cilin kreu i qeverisë nuk harroi ta krahasonte me kancerin. “Qeveria ime është e vendosur të marrë çdo masë për të çrrënjosur e për ta luftuar këtë kancer, i cili kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër klimën e biznesit, por edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit”, deklaroi Berisha, duke theksuar se qeveria që ai drejton ka vullnet të hekurt në këtë luftë. Sipas tij, kjo qendër ka rezultuar e suksesshme, nisur nga fakti se brenda një viti ka pajisur me tre mijë leje dhe licenca qindra e mijëra investitorë shqiptarë dhe të huaj, në një kohë shumë e shumë herë më të shkurtër dhe gjithsej me një kosto 1 euro. Kreu i qeverisë foli në fjalën e tij edhe për ndihmën e madhe që ka dhënë në luftën kundër korrupsionit, procedura e prokurimeve publike. Sipas tij, këto nisma të marra bëjnë që Shqipëria të jetë një nga vendet më tërheqëse për investitorët e huaj.
#