Renta minerare për pensionet e minatorëve
Ministria e Financave ka sugjeruar përdorimin e një pjese të vogël të të ardhurave të qeverisë nga renta minerare, për të paguar një pension pak më të lartë për profesionet e vështira, ku përfshihen edhe minatorët. Projektligji u prezantua dje në Këshillin Kombëtar të Punëve. Propozimi nuk plotëson kërkesën e minatorëve për pension të parakohshëm, por premton që pensioni për këto shtresa do jetë pak më i lartë se për të tjerët.
“Përfitojnë ata minatorë që kanë mbi 15 vite punë nën tokë, si dhe ata punonjës të tjerë të industrisë së naftës e industrisë kimike, të cilët duhet të kenë 26 vite pune dhe të kenë paguar siguracion”, thotë zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali.
“Për fondin kontribuojnë punëdhënësit, punëmarrësit, sindikatat dhe qeveria me dy për qind të rentës minerare”, shtoi Alibali. Projektligji premton pension minimal si dhe një pagesë shtesë për vështirësinë në punë, e cila do të varet nga fondet që qeveria do të mbledhë prej disa kontribuuesve. Synimi final i Ministrisë së Financave mbetet që kjo reformë të mos kërkojë angazhim shtesë nga buxheti i shtetit. Por fondet që pritet të mblidhen, duket se do të jenë të vogla.
Renta minerare paguhet nga kompanitë që shfrytëzojnë nëntokën dhe varion nga 4 në 10 për qind të të ardhurave të kompanive. Gjatë vitit të kaluar, nga kjo taksë u arkëtuan afërsisht 16 milionë dollarë. Dy përqindëshi që qeveria ka vendosur të ndajë mënjanë, pritet të jetë rreth 320 mijë dollarë në vit. Nga propozimi pritet të përfitojnë rreth 3 mijë shqiptarë që dolën të papunë nga rrëzimi i sistemit komunist njëzet vjet më parë, të cilëve u bie të marrin nga renta minerare rreth 8.9 dollarë në muaj më shumë se sa pensioni minimal, i cili aktualisht është 100 dollarë në muaj.