Berluskoni del nga spitali, gati vizita në një klinikë estetike në Zvicër
Pas katër netësh nën kujdesin e mjekëve, Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ka lënë spitalin "San Raffaele" të Milanos, ku ishte shtruar pas agresionit të së dielës. Kryeministri, që duhet të qëndrojë pushim për 15 ditë, në një komunikatë deklaron se kishte ndier "afër" disa liderë të opozitës. "Nëse nga kjo që ndodhi derivon një përgjegjshmëri më e madhe e nevojës së një gjuhe politike më të ndershme, atëherë kjo dhimbje nuk ka qenë e kotë". Kryeministri, me një fasho të madhe sipër hundës, në momentin e daljes nga spitali dukej në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka përshëndetur i buzëqeshur kronistët dhe fotografët e pranishëm. Silvio Berluskoni u shtrua në spitalin milanez të dielën në mbrëmje, pas agresionit të pësuar në sheshin "Duomo" në Milano. Sipas këshillës së mjekëve, ai duhet të pushojë dhe të qëndrojë jashtë aktiviteteve publike për 15 ditë. "Dy gjëra do të më mbeten në kujtesë këto ditë: urrejtjen e pak njerëzve dhe dashurinë e shumë prej tyre. Si njërit, ashtu dhe tjetrit grup, i premtoj diçka: do të ecim përpara me më shumë forcë dhe vendosmëri në rrugën e lirisë. Këtë i detyrohemi popullit tonë, demokracisë tonë, ku nuk duhet të mbizotërojë asnjë lloj dhune, mbi të gjitha ajo e fjalëve", thuhej në një komunikatë të shpërndarë. Por, nëse "Kavalieri" pritet ta marrë veten tërësisht nga ajo që ndodhi, e përditshmja zvicerane "Le Matin" tregon sekretin se Berluskoni në ditët në vazhdim pritet të vizitojë një klinikë në Zvicër, "Ars Medica" në Kanton Ticino, për "të fshirë çdo gjurmë të agresionit" të pësuar në fytyrë: "Kryeministri italian duhet të mbërrijë në klinikën private ‘Ars Medica‘ në Gravesano", tregon Karlo Zopi, kryetari i bashkisë së vogël me 1200 banorë, që citon e përditshmja. Informacioni nuk është ende zyrtar, por i besueshëm dhe Berluskoni duhet të "mbërrijë në ditët në vijim", sipas Zopit. Gazeta kujton se Kryeministri italian e njeh shumë mirë klinikën e famshme zvicerane. Pikërisht në "Ars Medica" në vitin 2003 Berluskoni i ishte nënshtruar një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale estetike.