ARKEOLOGJI, zbulimet e reja zbardhin “sekretet” e Manastirit të 40 Shenjtorëve
Petrika GROSI
Arkeologu i Mesjetës së Vonë në Institutin e Arkeologjisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Skënder Muçaj tregon ekskluzivisht për gazetën “Albania” mbi zbulimet më të fundit që kanë rezultuar gjatë gërmimeve të sivjetshme, të cilat çojnë në zbardhjen e historisë së Manastirit të 40 Shenjtorëve. Nga Saranda, ai rrëfen se për të shtatin vit me radhë, arkeologët shqiptarë po gërmojnë në mjedisin e Manastirit të 40 Shenjtorëve, për të hedhur dritë mbi historikun e kësaj qendre kulti e pelegrinazhi, unikale në gjirin e Mesdheut. Deri tani, në këtë vend është zbuluar numri më i madh i amforave që janë gjetur në Mesdhe; mbi 8000 të tilla, ndonëse të thyerra, përbëjnë një pasuri të madhe për arkeologjinë shqiptare e më gjerë. Interesant është fakti se këto amfora kanë ardhur nga zona të ndryshme, siç shpjegon Muçaj; Siria, Palestina, Libani, pellgjet e Detit të Zi, Turqia, Tunizia, Libia, Italia etj. Po kështu, janë zbuluar muret e nëndheshme dhe dy shkatërrimet që ky manastir ka pasur ndër vite, të cilat janë shkaktuar së pari nga ushtria greke dhe herën e dytë nga anglezët, gjatë Luftës II Botërore. Manastiri i 40 Shenjtorëve është një ndër monumentet më të mëdha në botën mesdhetare. Ai paraqitet si rast unikal, një kishë e madhe me një pjesë të saj në nëntokë; ka pasur shumë ambjente pa dritë, të cilat kanë shërbyer për kultin e pelegrinëve. Sipas hipotezave të deritanishme të arkeologëve, Muçaj tregon se ka shumë mundësi që në këtë kishë të vinin banorë nga vise të largëta të Europës Perëndimore, të cilët ishin nisur për pelegrinazh drejt tokës së shenjtë të Jeruzalemit. Sipas krahasimeve që janë bërë, ngjashmëritë e këtij manastiri me kishat e Jeruzalemit janë shumë të mëdha, megjithatë, arkeologu Muçaj pohon se kulti i 40 Shenjtorëve e ka origjinën nga Armenia.
Kulti i 40 Shenjtorëve
Legjioni XII, Rrufeja, një nga repartet e famshme të ushtrisë romake në atë kohë, u arrestua në Armeni dhe u persekutua nga Perandoi Licin, (viti 317) bashkësundues me Kostandinin e madh. Perandori Licin i dënoi 40 ushtarët, duke i futur në një liqen të ngrirë dhe ata vdiqën pa hequr dorë nga besimi i tyre te krishtërimi. Sipas legjendës, ushtarëve kristianë ju vunë para dy alternativa, teksa i kishin nxjerrë lakuriq në mes të dimrit; ose të ndërronin fenë dhe të bënin një banjo me ujë të ngrohtë, ose të pranonin vdekjen të zhytur në ujin e akullt të liqenit...
Më vonë, ky kult u përhap në vendet e Azisë të Largët, e prej andej në Kostandinopojë e gjetkë. Në vendin tonë mendohet se kulti i “40 Shenjtorëve” i përket fundit të shek.V dhe shek.VI.
Shkatërrimi nga grekët dhe anglezët
Manastri i 40 Shenjtorëve ka qenë në këmbë deri në 1944, kur u bombardua nga armata angleze që ishte e pozicionuar midis Korfuzit dhe Sarandës. Anglezët mendonin se në manastir qëndronte një garnizon gjerman, kështu që e bombarduan manastirin nga flota e tyre ushtarake detare. Para bombardimit, këto mure ishin 13 metra të larta, 5 metra nën tokë dhe 8 metra mbi tokë. Pjesa e mbitokës u shkatërrua krejtësisht gjatë sulmit të flotës angleze, ndërkohë që shtresa nëntokësore e këtyre mureve u dëmtua në vende të ndryshme. Sipas arkeologëve, manastiri ka pasur dëmtime edhe në vitin 1878, koha para Kongresit të Berlinit, në prag të Lidhjes së Prizrenit, kur ushtria greke e hodhi në erë një një pjesë të nëntokës së Manastirit të 40 Shenjtorëve. “Gjurmët e shpërrthimit të barutit dhe të shpërrthimit anglez tashëm janë të dokumentuara dhe të identifikuara nga ne”, thotë Skënder Muçaj. Në këtë monument, gjatë Luftës II Botërore kanë qendruar edhe reparte të ndërlidhjes (Postës) dhe artiljerisë bregdetare italiane… Me kapitullimin e Italisë, personali u largua por një pjesë e tij u kapën rrobër dhe më pas u pushkatuan nga gjermanët.
Zbulimet
“Aktualisht, jemi në fundin e kësaj ekspedite; kemi gërmuar të gjithë pjesën nëntokësore të manastirit dhe jemi duke mbyllur gërmimet në mbitokën e kishës”, tregon Muçaj për gazetën. Gjithashtu, ai pohon se ka mbetur e pa gërmuar një pjesë e pagëzimoreve të manastirit, të cilat kanë qenë të shumta. Pikërisht, prania e këtyre vatrave të pagëzimit brenda një vendi përbën një rast unikal në Mesdhe dhe tregon se manastiri, sipas të gjitha gjasave i kishte këto pagëzimore për t’u ardhur në ndihmë pelegrinëve që vinin një ditë të caktuar, më 9 mars që është dita e 40 shenjtorëve, apo edhe në data të tjera. Arkeologët kanë zbuluar gjatë ekspeditës më të fundit edhe banjën termike, furrën, që përgatiste ujin e ngrohtë për ata që do të pagëzoheshin.
Dishepujt dhe pikturat murale
Në dhomat e Manastirit janë zbuluar më parë edhe disa piktura murale. Një nga këto afreske i përket një dishepulli dhe konsiderohet ndër më të vjetrat e bizantit. Faltoret e ndryshme nëntokësore ndohen përgjatë një korridori oval dhe siç thamë më lart, ato duhet të kenë qenë funksionale për pelegrinët që ndaleshin në këtë manastir. Për të gjithë ata që duan ta vizitojnë këtë monument unikal, Manastiri i 40 Shenjtorëve ndodhet në kodrën përbri Kalasë së Lekurësit, vetëm 4 kilometra rrugë larg nga Saranda.
21 Gusht 2009