Varshava nuk do të ekstradojë ish-ministrin maqedonas
Gjykata e Apelit në Varshavë vendosi të mos ekstradojë ish-ministrin e shëndetësisë, Vlado Dimov. Gjykata polake nuk e pa të arsyeshme dhe nuk kishte fakte për të shqiptuar masën e ekstradimit për ish-ministrin Dimov, i cili akuzohet në Maqedoni për keqpërdorim të detyrës për një shumë prej 40 mijë eurosh. Praninë e tij para gjykatës polake e garantoi konsulli bullgar në Varshavë, për shkak se ai posedon edhe shtetësinë dhe pasaportën bullgare. Ish-ministri Dimov akuzohet se gjatë vitit 2005-2006 ka dhënë urdhër për punësimin e paligjshëm të 17 personave në Qendrën Spitalore në Strumicë, por edhe ka bërë keqpërdorime të tjera financiare gjatë kryerjes së detyrës.
Koreja e Veriut, pro bisedimeve me SHBA-të
Bill Riçardson, guvernatori i Nju Meksikos në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se Koreja e Veriut ka dërguar sinjale pozitive se është e gatshme të rinisë dialogun me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor. Guvernatori Riçardson këto komente i bëri pas takimit që pati me të dërguarin e Koresë së Veriut në Nju Meksiko. Diplomati amerikan tha se kishte vërejtur ulje të tensioneve në mes dy palëve që kur ish-presidenti Bill Kllinton ishte për vizitë në Penian, për të siguruar lirimin e dy gazetareve amerikane. Por, Riçardson ka sqaruar se Koreja Veriore është e gatshme të hyjë në bisedime dypalëshe vetëm me Shtetet e Bashkuara dhe jo me 5 vendet e tjera.
Ahmadinexhad prezanton në parlament qeverinë e re
Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad i prezantoi parlamentit emrat e kabinetit të ri, në pritje të marrjes së mandatit të dytë. Emrat e kabinetit duhet të miratohen nga parlamenti.
Megjithatë ka patur kritika lidhur me mungesën e eksperiencës së disa prej anëtarëve të ekipit të tij. Nën presionin e pothuajse të gjitha palëve, pas rizgjedhjeve së diskutuar, Ahmadinexhad ka zgjedhur besnikërinë përballë eksperiencës në kabinetin e tij të ri. Kjo vjen megjithë thirrjen nga parlamenti për presidentin që ai të zgjedhë një ekip më kompetent. Kjo gjë shihet si një provokim i qëllimshëm që është parashikuar të sjellë një betejë të re mes presidentit dhe parlamentit. Zgjedhja e tre grave do të zemërojë konservatorët, shumë prej të cilëve nuk duan gra në pozita drejtuese si edhe reformistët që nuk pëlqejnë qëndrimet e vijës së ashpër të tre grave.
21 Gusht 2009