EULEX-it i refuzohet marrëveshja me Serbinë, Prishtina kundër
Blerina Olldashi
Takimi i djeshëm mes krerëve kosovarë dhe shefit të EULEX-it, Iv de Kermabon përfundoi pa marrëveshje në lidhje me protokollet e bashkëpunimit që misioni i BE-së synon të nënshkruajë me Serbinë.
Shefi i EULEX-it, Kermabo, nuk arriti të siguronte mbështetjen e liderëve të institucioneve të Kosovës të cilët u shprehën kundër vendimit. Ndërkaq, Iv de Kermabo tha se ky ishte takimi i parë dhe përkundër qëndrimeve të kundërta, ai tha se do të jetë në kërkim të arritjes së pëlqimit edhe nga ana e Prishtinës. “EULEX-i nuk mund dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje protokollare në emër të Kosovës”,- tha Iv de Kermabo. Ky protokoll, sipas tij, do të ndihmojë luftimin e krimit dhe kontrabandës dhe ka të bëjë me bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe policisë serbe. Ndërkohë, udhëheqësit kosovarë e kundërshtuan marrëveshjen e propozuar. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se në takim ishin shprehur qëndrime të ndryshme ndërmjet tyre dhe shefit të EULEX-it. Sejdiu tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me EULEX-in, por nuk do të përkrahë legjitimimin e strukturave paralele që Serbia ka ngritur në pjesë të caktuara të Kosovës. “Absolutisht, nuk mendojmë se mund të ketë ide që dikush të instrumentojë apo t’i mbajë gjallë strukturat paralele, të cilat realisht janë në dëm edhe të vetë komunitetit serb, sepse e mbajnë peng në iluzione për procese nëpër të cilat kemi kapërcyer”. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova nuk do t’i lejojë Beogradit që përmes mekanizmave të caktuar të mbajë ndikimin e vet në Kosovë.
ǒnënkupton marrëveshja EULEX-Serbi
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se marrëveshja mes EULEX-it dhe Serbisë mund të jetë pozitive në aspektin e sigurisë, nëse ajo nuk politizohet. Ajo sipas tyre do të ndihmonte në parandalimin e dukurive negative në vend pasi Kosova duhet të ketë marrëveshje të tilla me të gjitha vendet në rajon dhe më gjerë. Marrëveshjet rreth krimit të organizuar, kontrabandës, kalimeve të paligjshme kufitare, trafikimit të qenieve njerëzore, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, i konsideron si çështje rajonale, për të cilat duhet të ketë bashkëpunim. “Një marrëveshje e tillë me Serbinë, kur ka të bëjë me sigurinë rajonale, e shoh me pozitivitet dhe duhet të nënshkruhet, pasi do të ketë implikime pozitive në aspektin e sigurisë në të ardhmen”, vlerëson Qehaja.
Presidenti Fatmir Sejdiu dekreton 4 ambasadorë
Republika e Kosovës dekretoi katër ambasadorë, mes të cilëve edhe ambasadorin në Republikën e Shqipërisë. Pas marrjes së pëlqimit nga vendet përkatëse, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dekretoi tre ambasadorë të rinj. Ata janë Avni Spahiu në Uashington (SHBA), Bekim Sejdiu në Ankara (Turqi), Gazmend Pula në Tiranë dhe Anton Berisha në Lubjanë (Slloveni). Dy ditë më parë, presidenti Sejdiu dekretoi ambasador të Kosovës në Berlin (Gjermani) Vilson Mirditën. Për afro një vit, Mirdita dhe të dekretuarit e tjerë, përveç Anton Berishës, kanë qenë të ngarkuar me punë në kryeqytetet përkatëse. Presidenca kosovare njofton se ditët në vijim, presidenti Sejdiu pritet të akreditojë edhe ambasadorët në 17 ambasadat e tjera të Republikës së Kosovës që pritet të jenë funksionale gjatë këtij viti.
21 Gusht 2009