Ben Blushi i angazhuar në panairin kotësive
Panairi i librit në Tiranë këtë vit pati si gjithmonë një sukses për safarin e syve mbi titujt e nën-titujt sesa në shitjen e tyre. Statistikat flasin qartë për një vitrinë dingas me kaviar kopertinash të ndryshme dhe me lexues anormalë që kullufisin tituj e nëntituj, nganjëherë i shfletojnë përciptazi si për të prekur nëse ka mjaltë apo qelb në mollaqet e bardha. Por njerëzit nuk blejnë, shohin, ngazëllehen dhe largohen me një abiss dëshirash të reja. Nuk lexojnë për të vetmen arsye se duan të shkruajnë edhe ata një libër. Kjo vjen jo se shqiptarët nuk lexojnë, por sepse zallamahia e panairit është si një treg industrial gjigant që përpin çdo vit në të gjithë botën çerekun e pemëve të amazonës, pemë që nga brumi i tyre nxjerrin letrën mbi të cilën njeriu nxin me afsh paditurinë kolosale.
Përpos hyrjes në panairin e trishtimeve, një libër më bëri përshtypje mbi të tjerët, ishte romani i Erik Ambler “Një histori e pisët”, në të cilin, njëri personazh, Artur Abdel Simpson, rrëfen se mban mend këshillat që i Ati i kishte thënë kur ishte fëmijë. Njëri prej mësimeve të para ishte “mos thuaj kurrë një gënjeshtër, kur mund t’ia hedhësh me ndonjë budallallëk, gjepur apo me një dëngël”. Sot e nënvlerësojmë shumë fuqinë që kanë “dënglat”. Ato po prodhohen me shumicë nga publiciteti maniakal dhe sidomos nga politika metafizike, e cila nga ana e vet po majmet nga reklama, por edhe për shkak të një paradigme opozite dhe një strategjie tymi. Mbi këtë temë, një profesor filozofie i Universitetit Princeton në SHBA, Harry Gordon Frankfurt, ka shkruar një libërth interesant. Në “bullshit”-in e tij, që shqip mund të përkthehet si “gjepura apo ndyrësi”, sqarohet se “esenca e gjepurave (bullshit) nuk është se ato janë të gabuara a fallco, por se janë finte, d.m.th se janë kinse ashtu, pra bëjnë sikur janë të tilla”. Politika jonë është me plot me të tilla, por aty do vijmë pak më vonë.
Kuptohet vetiu se përveç shtëpive botuese që zbarkojnë me inventarin përrallor e bombastik të titujve, ka dhe shumë shkrimtarë që firmosin frontespicet e predikimeve të tyre. Midis atyre që ranë në sy për interes të gazetarëve ishte patjetër Ben Blushi, ky politikan që për çudinë e të gjithëve në panair është më serioz me librat sesa me vetveten a me politikëbërjen. Ben Blushi ishte një çun me ambicie shumë të mëdha politike dhe ngjane i zgjuar, por dështimi përballë Edi Ramës e ka dëshpëruar shumë dhe e ka bërë edhe me cinik. Kaq për ta justifikuar. Lajka e mbyt inteligjencën natyrore të njeriut, prandaj kohët e fundit Ben Blushi është eklipsuar nga opinioni publik. Kjo shihet fare qartë në avullimin e tij si profil alternativë të kryetarit të PS-së, egoarkut Edi Rama. Si gjithmonë në karrierën e tij politike, punët e rëndësishme i ka lënë përgjysmë, në një amulli asfiksues, sepse ngjan i paracaktuar të jetë një njeri i paplotësuar në fatin e vet. Me pak fjalë, një njeri që ka patur një inventar të pasur në poste drejtuese e që nuk ka lënë asnjë shenjë në punët e tij, afërmendsh kjo do të thotë shumë për personalitetin si drejtues të këtij politikani. I ka humbur gjurma e interesit publik sepse ai nuk po arrin të mbajë presionin që politika e re “përtej së majtës e së djathtës” po e rëndon jo vetën në media por edhe në xhepat personalë.
Merret me mend se panairi i librit funksionon si një sallon “far-west”-i ku mund të gjezdiset lirshëm me pisqolla intelektuale, pa u interesuar se çfarë bën Ben Blushi, që nuk përfaqëson asgjë për publikun, por që përfaqëson diçka për militantët e PS-së.
Nëse njëherë e një kohë Blushi kishte shumë borxhe ndaj vetes, sot ka edhe ndaj atyre që kanë besuar kohët e fundit se me kimerën LMN, ai përfaqësonte një politikë më serioze e që do ta nxirrte PS-në nga bataku ku e ka futur sutaku i Edi Ramës. Pra, borxhin që Blushi ia kishte vetes e ktheu në një borxh të madh që ai tashmë u ka shqiptarëve dhe veçanërisht socialistëve që shpenzuan kohën me “gjepurat” e një lëvizjeje që s’po prodhon veprim ndryshe.
I mbetur ndoshta në panair ngaqë politika e re po ia snobon “vendimmarrjen”, pa një të ardhme të profilizuar qartazi, botëkuptimi i tij panoramor na shpaloset pa hezitim në
formën e një borxhi të cilin ai nuk mundi ta lante kur ishte në pozita drejtuese.
Mirëpo këto borxhe jo vetëm që nuk lahen nga fajdexhiu, por pastrohen nëpër panairet e librave me një riciklim soft, intelektual e të shëndoshë, kur duhet të luftojë kundër fundosjes së PS në llagëme anti-ligjore. Ndërsa si politikan është një paradhomën e liderit, si shkrimtar është kloni shqiptar i Dan Brown-it. Shkruan një fiction komercial, ordiner, pa asnjë vlerë universale brenda saj. Siç ngjan, shkruan thjesht për vetëmbrojtje.