E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbingarkesa e Ramës me ’97-n, narkotiku që i serviret si terapi klinike

Një gazetë e përditshme shqiptare pyeste në faqen e parë: Çfarë do të ndodhë në 20 nëntor? Mirëpo pyetja që duhej shtruar është: ç’ka me 20 nëntor? Mos ka ndonjë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët. Sepse përvjetori i pavarësisë është tetë ditë më pas. Dikush ka filluar me spote dhe nga selia ylberiste është konfirmuar një miting proteste. E mirë, e çë pastaj? Në të gjithë botën, nga lindja në perëndim ka protesta për gjithfarë problemesh. Pasi përfundojnë punë, ikin në secili në hall të vet. Mirëpo asnjë gazetë atje në Perëndim nuk pyet se çfarë do të ndodhë në protestë. Kush i ka lëshuar dhe nga cila seli mbërrijnë sinjalet e dhunës? Çfarë duan të thonë ca medie kur zbërthejnë gjoja protestën e gjatë të opozitës? Dhe në fund, çfarë nënkuptohet me faktin se pakica po kërkon të nënshtrojë shumicën? Mesazhe dhune kanë ditë që po shfaqen në shtypin që mbron e përkëdhel opozitën. Këto pasazhe dhune janë produkt i dalë nga selia e kuqe, atje ku përpunohen shpifjet dhe mashtrimet që më pas nxirren si produkte mediatike. PS nuk ka mbajtur për asnjë çast përgjegjësinë historike që i takon opozitës. Nën pretekste të tilla ishte opozita shqiptare ajo që e shtyu vendin në një kaos dhune dhe rrëmbeu armët, duke prishur, plaçkitur e rrënuar me pretekstin e humbjes së financave në ca firma. Ish-komunistët nuk kanë fituar asnjëherë zgjedhje në këtë vend pas vitit 1990. U desh ta zhuronte vendin në ’97-n për të rrëmbyer pushtetin dhe për ta mbajtur paligjshmërisht për tetë vite, duke e lënë vendin në bisht të proceseve integruese. Xhaketat e vjetëruara që mbajnë si rrobaqepës Ruçin kanë treguar se ç’mund t’i bëjnë e t’i sjellin këtij vendi, kur u cënohen interesat e klaneve mafioze.
Zgjedhjet në këtë vend përfunduan pesë muaj më parë. Ç’do të thotë të protestosh duke nxitur dhunën pas pesë muajsh. Ku ishte opozita pas dhënies së rezultatit nga KQZ? Dhe çfarë duan të shprehin me fjalët se çfarë do të ndodhi me 20 nëntor? Asgjë nuk ka për të ndodhur me 20 nëntor. As paratë që do të shpërndajë Rama për militanëtë nuk do të hyjnë në punë. Shteti nuk do të lejojë që klanet dhe mafia që mban ende të ndezur zjarrin në selin rozë të sjellin kaos në kryeqytetin shqiptar. Opozita ka në kurriz një barrë të rëndë, ’97-n. Ajo nuk mund t’i shtojë vetes efekte të tjera negative, sepse njerëz të mençur në këtë parti e të ekulibruar ka plot. Prandaj LMN e ka kuptuar se faktori plus që mban ndezur zjarrin dhe konfliktet në PS është kreu i saj Edi Rama i yshtur nga një grup rrangallë politikanësh të majtë, që prej ’91-it e kanë akaparuar këtë seli dhe e mbajnë peng me politikat e tyre mafioze e të dala boje. Shqipëria është vend në NATO dhe ajo zbaton parimin e demokracisë e të lirisë së grupimeve e të grumbullimeve. Por ky shtet demokratik, afërmendsh që s’la për të toleruar dhunën dhe nxitësit e saj, që mund të fshihen pas këtyre lirive.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›