E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, rrugë më rrugë, për të provokuar sherr

Pasi ka kuptuar se i dështuan protestat e netëve dhe të cepave të shesheve, Rama po njofton se ka gati alibinë e radhës, për ta lënë sërish PS-në rrugëve, me skalione të gatshme të kërkojnë sherr. Edvini bërtet këtë herë, se po e ndalojnë të fusë duart në xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit, por ligji për uljen e taksave vendore s’mund të ketë kthim, pa marrë Rama vendimin për kthimin e PS-së në parlament

Dje është regjistruar një përshkallëzim i sjelljes antiligjore të Edi Ramës, teksa ai ka thirrur të gjithë kryekomunarët e kryebashkiakët, ende nën hyqmin ylberist, për t’i nxjerrë në rrugë të madhe, në protestën më antiligjore që ka parë vendi, që nga rebelimi i 1997-s, për të cilën gjithashtu Edvini po ka mall të madh. Qeveritarët socialistë të njësive vendore u rreshtuan dje si dele pranë Edvinit, i cili ndihet hollë nga financat, ndihet i lënë mënjanë të biznesmenët e partnerët e tij okultë si dhe i paduruar për të grabitur edhe ndonjë pjesë nga buxheti i shtetit për 2010-n.
Me leximin e dështimit të turit të protestave, pas shkretëtirës mitingashe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Lushnje, Berat e Vlorë, Edvini po mundohet të prodhojë një alibi të re, që të ketë rast të dalë sërish rrugëve, edhe pas finales së turpshme që pritet të korrë me 20 nëntor. Duke keqinterpretuar një ligj organik, i cili është diskutuar e miratuar që në legjislaturën e shkuar e ku vetë ai ka qenë nismëtar i miratimit të vendimit për taksat e ndara mes pushtetit qendror dhe atij vendor, Edi Rama kërcënoi dje se do të dalë sërish me 5 dhjetor rrugëve për të kërkuar sherr, por edhe për t’i krijuar vetes mundësi që gjobisë edhe më tutje bizneset e kryeqytetit, me justifikimin se ishte qeveria qendrore ajo që ia kishte vënë të dyja këmbët në një këpucë.
Historia e taksave është e thjeshtë dhe opinioni publik ka informacion se shtrirja e pagesës së TVSH-së tek të gjitha bizneset është në njëfarë mënyre vendosja e barazisë mes të gjitha subjekteve tatimpaguese, por edhe krijimi i një hapësire që njësitë vendore të konkurrojnë për fondin e granteve prej miliona dollarësh, sipas projekteve të përcaktuara dhe me impakt për komunitetin. Por bash kjo vendosje barazie nuk i pëlqen Edvinit. Ai ka ndërtuar një sistem gjobitjeje ndaj më të vegjëlve, ndaj bizneseve të vogla dhe ambulantëve, por kjo pirateri tashmë nuk mund të vazhdojë më dhe procesi do t’i nënshtrohet një transparence më të madhe. Të ndalësh Edvinin që të mos i fusë duart në xhepat e kryeqytetasve është në fakt veprimi më me risk që mund të ndërmarrë një qeveri qendrore, prandaj edhe dje ai doli në rrugë, u zu me policët, mori me vete të gjithë kalecët ylberistë nëpër rrethe, bile edhe shpalli se pas 5 dhjetorit do të jetë sërish rrugëve, si ai sherrbudallai, i gatshëm për sherr, pasi vetëm kështu mund të mbijetojë politikisht.  
Provokimi i sherrit, si një rrugë koncesioni për të vijuar vjedhjet e për të mbajtur peng Partinë Socialiste është një përshkallëzim që s’mund të trajtohet më me të njëjtën maturi nga ana e autoriteteve politike. Lideri i opozitës po premton se edhe pas 5 dhjetorit do të jetë rrugëve, i gatshëm për sherr, dhe ai ka dhënë prova se kur është puna për destabilizim, është “gjithmonë gati”. Por përballë kësaj gatishmërie, është e qartë se duhet një rreshtim i të gjithë faktorëve të tjerë, të cilët do të duhen të distancohen nga sherrbudallai i politikës, që po kërkon t’i tërheqë të gjithë me vete, në humnerën e tij personale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›