Pragproteste në Policinë Bashkiake të Tiranës, 250 policë thonë se ndihen të vjedhur nga Edi Rama
Policia Bashkiake ka për detyrë të sigurojë zbatimin efektiv të urdhrave të nxjerra nga Kryetari i Bashkisë, si dhe zbatimin e vendimeve të këshillit që kanë të bëjnë me sigurimin e rendit, të qetësisë dhe mbarëvajtjen e punëve publike. Mirëpo kjo punë po bëhet përditë e më e rëndë, ngase konfliktet e njëpasnjëshme të midesë së bashkisë po e bëjnë punën një sfidë nervash. Së fundi, nga burime të mirëinformuara, brenda radhëve të policisë bashkiake po profilizohet pakënaqësia ndaj pagesave mujore, që nuk përfshijnë orët e punës jashtë angazhimit zyrtar. Më shumë se 250 policë nga efektivat e Bashkisë së Tiranës, janë shprehur nën zë se janë gati të protestojnë ndaj këtij keqmenaxhimi të orëve të punës. Statusi i uniformave të bashkisë po kthehet në një vatër proteste pasi rrogat që marrin janë jashtë parametrave të kontratës që ata kanë nënshkruar. Por duket se këta 250 policë bashkiakë nuk munden të hedhin asnjeri në gjyq, pasi statusi i tyre nuk është akoma i mirëpërcaktuar. Kreu i policisë bashkiake të Tiranës Zyhdi Dajti, i cili është edhe kryeinspektor i kësaj strukture është i informuar me kohë për këtë padrejtësi që po i bëhet strukturës që i kanë vënë mbi shpinë. Disave u është mbyllur goja me kërcënime për largim nga puna, disa të tjerëve me idenë se kur të vijnë ne në pushtet do t’u japin pjesën e luanit në Policinë e Shtetit. Loja e Edi Ramës në këto ditë për të mbajtur me punë policinë bashkiake, me protesta në shesh, përpara kryeministrisë, me ndalimin e punimeve në qendër të Tiranës, me ndalimin e qarkullimit të autobusëve ndërqytetas në hyrje të Tiranës, ka si qëllim mbajtjen nën presion jo veç të qeverisë, por edhe të Policisë Bashkiake, efektivave të së cilës u ka ardhur në majë të hundës mospagimi i orëve shtesë të punës.
Në një analizë më të hollësishme, përplasjet e fundit mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit nuk ishin të rastësishme e as të papritura, por pjesë të xhihadit psikologjik të Edi Ramës ndaj qytetarëve të Tiranës. Prej shumë kohësh kalecët e tij janë bërë një "googol" pirat i tregtarëve të vegjël e të mesëm, me veprime krejt jashtë funksionit dhe në kundërshtim me ligjin. Këta policë, pasi parkojnë furgonat përballë tregut, fillojnë raprezaljet, duke piketuar tregtarët që do të sulmohen dhe zhvaten. Psh, prej vitesh shohim makinat e Policisë Bashkiake që lëvizin në rrugët e kryeqytetit, me synim dhe vizion të qartë, por pa u bazuar në ligje e shkresa.
Së fundmi në konfliktin e shpalluar të Bashkisë me komunat në periferi të drejtuara nga kryekomunarë të djathtë që nuk lejojnë transportin e udhëtarëve jashtë vijës së verdhë të kryeqytetit t’i dërgojnë njerëzit në vendet e punës apo miqtë e tyre. Policia bashkiake është e lodhur që vepron kundra interesave të qytetarit veçse Edi Rama kërkon të instalojë një klimë tensioni me qëllim përfitimin e pushtetit. Ka shumë gjasa që Kryeinspektori i bashkisë Zyhdi Dajti të japë dorëheqjen nga posti i komanduar, përderisa shumë efektiva të kësaj policie ndihen të vjedhur nga punëdhënësi i tyre.