E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Blushi midis Otellos dhe Jul Qezarit

Aktori politik i trupës socialiste Ben Blushi po bën provat gjenerale të luajë një “pièces” të rëndësishme në një drame të Shekspirit: “Jul Qezari”, e menduar për t’u vënë në skenë më 29 gusht të këtij viti. Seleksionimet e kandidatëve u nisën para një jave, gjatë një Asambleje të improvizuar në një restorant, ku edhe u pa e nevojshme rinovimi i trupës teatrale të kompanisë. Ndërsa Edi Rama dhe Erion Veliaj po përgatiten imtësisht në Miçigan të SHBA-së për t’u rikthyer në skenë me forca të reja. Ben Blushi, politikani i paprovuar ndonjëherë në pozicione drejtuese, ka disa javë që ka nisur një ofensivë mediatike për të marrë rolin e protagonistit në skenën politike të opozitës. “Ora e debatit” ishte një nga këto.

Nevoja për t’u profilizuar sa më shpejt si kandidat për kryetar e ka bërë të pranojë çdo ftesë që vjen në adresë, pasi tashmë shtëpia e tij politike ka mbetur pa paterfamilias. Profili i tij si politikani “ndryshe”  i PS-së e ka shtyrë deri aty sa ta quajë edhe Edi Ramën pjesë e politikës së vjetër. Etja për pushtet çfarë nuk të bën të deklarosh. Ky paradoks nuk ka fund në një parti të trashëguar me probleme të tilla: si të “vjetër e të rinj”, “tradicionalë apo novatorë”, “titistë dhe revisionistë”, as të majtë e as të djathtë, i cila nuk vjen nga përllogaritja e moshës cerebrale të politikanëve, por të moshës biologjike. Sikur të jesh i vjetër në politikë automatikisht e barabartë me një gozhdim mbi një fatkeqësi. Gjithë ky paradoks lind ngaqë mosha e popullsisë aktuale është e re dhe t’i biesh këtij fyelli do të thotë se të rinjtë do të dëgjojnë këtë muzikë. Xhelozia politike ndaj kryetarit Rama, e fshehur me kujdes përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, është shfaqur e kanalizuar tanimë në qortimin publik të lidershipit të Partisë Socialiste.

Mirëpo pas kësaj paranteze nistore duhet parë sesi ai do ta bëjë kryengritjen brenda një kulle të fildishtë ku Salam-alekët nuk mungojnë për kryetarin pa mandat Edi Rama. A do t’i mprehë thikat si Bruti a Kasi kundër diktatorit të republikës, aktori Blushi? Cili do ta bëjë Mark Antonin përpara qytetarëve? Në këtë kohë që po flasim, Ai më shumë sesa trupin po stërvit mendjen në përballimin emocional me Ramën gjatë kongresit të fundgushtit. Ben Blushi ka një pikë të fortë dhe një pikë të dobët në figurën e tij publike. Pika e fortë: në pamje të parë në kundërshtim me kandidatët e tjerë për rolin e protagonistit, ai ka gojëtarinë figurative, e cila ashtu siç mund të prononcohet një ditë të bukur vere po ashtu mund të humbë në varrezat e memories mediatike në një ditë të keqe vjeshte. Blushi në disa raste ka dhënë argumente se ku u gabua, po përveç shqiptarëve, asnjë në kompaninë e tij nuk e ka dëgjuar me vëmendje. Apo ndoshta bëjnë sikur nuk dëgjojnë?

Së pari: Thikat që ka lëshuar kundër ish-kryetarit nuk mungojnë, duke nisur nga mospasja e programit social-ekonomik e politik ndaj shqiptarëve. Qorton me ashpërsi pas pilafit parullat e Edi Ramës. Larg sloganeve “përtej të majtës dhe të djathtës”, larg interesave të ditës politike, ku bëhej politikë më deklarata dhe kaseta të montuara nga studio jopolitike, edhe pse quhej politikë e re.

Së dyti: Ai po i mëshon idesë së pasigurisë që solli Rama me mos kandidimin e tij për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare. Duke e lënë ushtrinë pa komandat ai sikur u tha të tijve, ju luftoni, unë po qëndroj këtu t’ju shoh se si vriteni. Në të vërtetë Rama, duke mos riskuar ai riskoi më shumë, duke humbur betejën elektorale.

Së treti: Ai po i mëshon idesë se Rama gaboi rëndë duke mos pranuar debatin e hapur me Berishën, e cila do të sillte edhe ndryshim midis dy figurave politike. Rama nuk i besoj vetvetes dhe si pasojë humbi një rast të shpaloste politikën e re përtej të majtës dhe të djathtës e kështu me radhë...

Pika e dobët: Është pika e dobët e të gjithë atyre që sulmojnë një establishment politiko/financiar të kalcifikuar nga në një përdorim të ndërsjellë pa pasur krahët e mbrojtura nga biznesmenët apo pronarë mediesh të fuqishëm. Ben Blushi deri tani ka vetëm idetë interesante sesi të risjelli PS në binarët e të së majtës shqiptare dhe asaj evropiane dhe afërmendsh pastaj të kunkurojë për zgjedhjet e ardhshme, por me idetë nuk shkohet larg. Realiteti i vështirë politik shqiptar është shumë praktik për të mos thënë tepër banal. Për të kapur një “qendër pushteti” sot më shumë se kurrë është e nevojshme të hedhesh para mes thes ose leje ndërtimi, licenca ose favore nga më të ndryshmet. Blushi nuk ofron asgjë të tillë dhe kjo është një minus. Ai në kongres nëse do të arrijë një rezultat duhet të bëjë çfarë është e mundur që ajo asamble anëtarësie të kthehet në debat të hapur mbi lidershipin e deritanishëm të PS. Ai duhet të mpreh thikat e oratorisë për t’i lëshuar në momentin e duhur. Ai tani është në valle dhe duhet të vallëzojë në qoftë se nuk do t’i humbas ymri. "Tu quoque, Brute, fili mi!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›