E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me gusht bashkë, ikën edhe Rama, Zoti na ruajtë nga AntiRama që vjen prapa...

Në PS e pas28 qershorit luhet komedia “Hipokrizia më e madhe e Politikës”. Kjo ndjesi të lind në vetvete, sa ke dëgjuar gjithë lumin e intervistës së Ben Blushit në Ora-News. I veshur me kostumin e kozmonautit socialist, dhe pasi ka shkelur për herë të parë planetin e “Fajeve politike të Ramës në PS”, na e zbulon planetin e fajeve të Edvinit me zellin e një analisti politik të çfarëdo mjeti mediak, duke mos harruar të ripërsërisë në çdo fjali dënimin kapital “Rama të mos rikandidojë më”. Harron një hollësi të vockël. Që ishte edhe ai bashkëudhëheqësi i PS dje. Bashkëudhëheqësi që dje vetëm heshti edhe kur - siç e pohon tani - e kuptonte që vendimet politike të Udhëheqësit të Partisë do ta dëmtonin këtë të fundit.

Kjo është e gjithë brendia politike e kritikës së Ben Blushit sot, pas zgjedhjeve, ndaj fajeve politike të Ramës. Vetëm  kjo analizë - të rendisë fajet politike të Ramës dhe të kërkojë largimin e tij nga Partia - u intereson, u mjafton dhe u tepron personalisht këtyre krerëve socialistë antiRama. Ben Blushi, kozmonauti i sotëm i planetit të Fajeve Politike të Edi Ramës, me “sinqeritetin” e vet politik na “bind” për mosfajësinë e tij politike. “...Nuk mund të reagoja (për moskandidimin e Edi Ramës si kandidat për deputet) se  ishte vendim personal, të cilin e pranuam në heshtje...” - shfajësohet analisti-politikan Ben Blushi. Ai pohon se heshti edhe kur e kuptoi që mungesa e ofertës politike ndaj Ilir Metës do të shkaktonte dëm politik. Heshti Ben Blushi që të mos dëmtonte politikisht partinë? Kjo analizë i intereson të ardhmes politike të PS. Apo heshti se i trembej hijes së kryetarit të Partisë? Këta, të heshturit politikanë ishin dje lolot-politikanë të Edi Ramës. Ben Blushi dhe të tjerë përfaqësues të “PS shpk”-së. Loloçë politikanë, derisa heshtin – edhe kur e kuptuan - që Udhëheqësi i Partisë me vendimin e vet politik të moskandidimit e rrezikoi PS në zgjedhje.

Dhe si loloçët e devotshëm, Ben Blushi shfajësohet sot në prag të Kongresit partiak, se heshti sepse moskandidimin e kryetarit e “cilësoi” vendim personal!!! Mendësia e cilësimit “vendim personal” mund t’i shfajësohet një turme anëtarësh e simpatizantësh fanatikë partiakë, mund t’u shpërfaqet qoftë edhe gjithë atyre loloçëve e palaçove të oborrit të Udhëheqësit partiak, por, kurrsesi nuk mund të justifikohet humbja për Hështjen politike, për ata që pretendojnë se do të jenë Udhëheqësit e ardhshëm. Udhëheqësi i ardhshëm i Partisë nuk është zëvendësimi ruajal i radhës. Dhe kultin e Udhëheqësit të ardhshëm partiak, Ben Blushi nuk mund ta lartësojë me kritikat e pas’humbjes. Shumë mirë këtë rol kritik e luajnë gazetarët analistë.

Personaliteti i Udhëheqësit të ardhshëm partiak provohet në momentet më kritike politike. Personaliteti i Udhëheqësit të ardhshëm partiak provohet edhe duke kundështuar, përkundër interesave vetjake, përkundër interesave personale, duke kundërshtuar çdo frikë të pasojave individuale dhe duke mbrojtur deri në fund Interesin e grupit partiak. Ben Blushi kurrë nuk guxoi të provonte personalitetin e Udhëheqësit tek vetvetja, kurrë nuk guxoi të kritikonte vendimet personale të Edvinit, të cilat dëmtonin interesat e PS.

Prova e Personalitetit të Udhëheqësit të ardhshëm partiak nuk është miratimi në heshtje dhe kritika e pas’humbjes, sikurse vetëlavdërohet Ben Blushi. Dhe as ajo frikë - sikurse pohon Ben Blushi - që po të kritikonte Udhëheqësin Edi Rama në pragvotimi do të shkaktonte panik tek zgjedhësit. Të kuptosh fajin politik të Udhëheqësit dhe të heshtësh- do të thotë se me vetëdije bëhesh bashkëfajtor.

Këtë ndjesi politike pohoi Ben Blushi. Që i kishte kuptuar të gjitha gabimet politike të Edi Ramës - që shkaktuan humbjen politike të PS - dhe ...kishte heshtur. Ben Blushi - si kozmonauti i pas’humbjes së PS, pohon se e kish kuptuar që moskandidimi i Edi Ramës do të shkaktonte dëm politik tek PS. E, megjithatë, heshti... Dhe, ju besojeni që heshti për ...fitoren e partisë?....

Ben Blushi e kish kuptuar se “...oferta e pamjaftueshme që kemi dhënë apo japim te të varfërit rreth qytetit ...” nuk i afroi ata tek programi politik i PS. Dhe, megjithatë, Ben Blushi heshti.... Ai e kish kuptuar se PS duhet t’i kish bërë ofertë aleance Ilir Metës, e megjithatë.... heshti. Ai e kish kuptuar se PS e Edi Ramës është parti moniste, e gjitha, dhe megjithatë heshti.... Heshti, që ta ketë tani program politik demokratizimin e partisë. Ben Blushi, kësisoj vazhdimisht heshtëte, edhe pse ishte një nga krerët më të rëndësishëm të partisë. Heshtja - sipas Ben Blushit, analistit politik të PS, - ishte pafajësi e të sotmes.

Edhe pse heshtëte vazhdimisht, Ben Blushi asnjëherë - para zgjedhjeve - nuk la asnjë rast që të mos dilte ne flashet e fotografëve në krah të Edvinit. Ben Blushi, mirë që nuk guxonte të kritikonte - edhe kur e kishte kuptuar fajësinë politike të vendimeve të Udhëheqësit partiak - por a nuk mund të protestonte ndaj këtyre fajësive politike, të paktën duke mos dalë kurrë në foto në krah të tij? Në politikë, kanë rëndësi të gjitha. Edhe fjalët, edhe heshtja, edhe mungesa, edhe zelli i të qënit në krah...         

Udhëheqësit... Kë të ndryshme, nga të tjerët bëri Ben Blushi që të dallohet sot si Udhëheqësi i të ardhmes për PS? Ai kishte atë psikozë që vetveten - politikisht - e rriste nën hijen e Udhëheqësit. Duke heshtur! Duke miratuar gjithçka me heshtje! Dhe duke i shënuar të gjitha këto, në librin e ...analizave.

Që të na i zbulojë tani, pas humbjes politike. Ben Blushi e pohon vetë këtë filozofi të “Heshtja është flori...”. “....Problemi për moskandidimin e Edi Ramës si deputet, nuk është se nuk folëm ne, por tek cilësia e vendimit për të mos kandiduar...”. Kjo është filozofia politike e Ben Blushit, si një nga krerët udhëheqës të PS, deri dje, para humbjes politike të 28 qershorit. Problemi i humbjes politike të PS - pohon Blushi - nuk është se heshtën këta kritikëmëdhenjtë e pas’humbjes së PS-së. Heshtën, edhe kur ishin të bindur se vendimi i Udhëheqësit do të dëmtonte politikisht partinë. Ç’të bëjnë më tepër këta krerë partiakë, që të humbasë Partia?

Ben Blushi paraqet edhe një program të tij politik si kostumin e ri të PS. Një nga tre pikat e programit është edhe kjo: “....PS, nga përtej të majtës dhe të djathtës vjen dhe e formaton veten brenda një të majte të re. Një element organizativ, një element parlamentar dhe një element doktrinar....”

Ku ndryshon Edi Rama i djeshëm dhe Ben Blushi i pasnjëzetenëntëgushtit të PS (poqese fiton), përderisa të dy kanë të përbashkët progamin politik për një parti me elementë doktrinarë? A nuk fajësohet Edi Rama se e ka shndërruar PS-në në një element doktrinar? “Doktrinar”, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, përcaktohet ai që pranon dhe ndjek verbërisht e mbron me kokëfortësi një pikëpamje a tezë edhe kur është e gabuar. Partia Socialiste me elementin doktrinar të Ben Blushit, ku ndryshon nga Partia komunisto-socialiste e Edi Ramës?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›