E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i të rinjve, nga Pirandelo tek Lorka

 

Teatri Kombëtar shpall fituesit e Festivalit Teatror të së Rinjve. Siç është kthyer në traditë tanimë, në vjeshtë do të zhvillohet sërish java e teatrit për të rinj. Në këtë edicion të pestë, shkon në 6 numri i veprave që do të vihen në skenën e Teatrit Kombëtar, përmes një fondi prej 5,5 milionë lekësh të reja. Regjisorët e rinj kanë zgjedhur pjesë të fuqishme e dramaturgë të mëdhenj si Pirandelo, Lorka, apo Beket, por nuk mungon edhe drama, apo komedia shqipe, përfaqësuar nga Haqif Mulliqi e Kim Dushi. Një juri e përbërë nga 6 anëtarë (Kristaq A. Skrami, drejtor i Përgjithshëm i TK-së, Rajmonda Bulku, aktore e TK, Gazmend Mullai, përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që është edhe mbështetëse e këtij aktiviteti, Herida Duro, gjithashtu përfaqësuese nga MTKRS dhe Erion Hinaj, fituesi i festivalit të vjetshëm për regjia më e mirë, 2008), mori në shqyrtim 9 projekte të paraqitura në garën e shpallur muaj më parë. Pas një pune selektive, juria vendosi për 6 projektet, të cilat në këtë fazë, paraqiten më të plota dhe më të realizueshme. Fituesit e këtij edicioni janë Zana Hoxha Krasniqi me veprën "Norvegjia sot", me autor Igor Bauersima, Elis Mataj me "Fundi i lojës", i dramaturgut Samuel Beket, Saimir Sina me veprën "Parfumeria" i autorit kosovar Haqif Mulliqi, Najada Elmazi me "Morsa" të Luixhi Pirandelos, Alma Hoti me dramën "Shtëpia e Bernarda Albës" të Federiko Garsia Lorkës dhe Sonila Kapidani Ulqinaku me komedinë "Banorët e shkallës NR/5", i autorit Kin Dushi. Festivali Teatror i të Rinjve, është një mundësi modeste për regjisorët e rinj, të cilët kanë mundësi të tregojnë aftësitë e tyre, qoftë edhe me një projekt të vetëm. Një vit më parë, fitues i këtij festivali, ishte regjisori i ri, Erion Hinaj me dramën "Kamarieri memec" të dramaturgut novelist, Harold Pinter.

Projektet

"Norvegjia sot", autori Igor Bauersima, regjia Zana Hoxha Krasniqi
"Fundi i lojës", i dramaturgut Samuel Beket, regjia Elis Mataj
"Parfumeria", nga Haqif Mulliqi, regjia Saimir Sina
"Morsa" nga Luixhi Pirandelo, regjia Najada Elmazi
"Shtëpia e Bernarda Albës" nga Federiko Garsia Lorka, regjia Alma Hoti
“Banorët e shkallës NR/5”, autori Kin Dushi, regjia Sonila Kapidani Ulqinaku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›