E Diel, 1 Nëntor 2026

"DokuFest", Shqipëria me 4 filma në garë

 

Alma Mile

Më tepër ngjyrime nga Shqipëria në "DokuFest". Më shumë filma në kon-kurrim, më shumë retrospektivë, që të kthejnë pas në kohë, në vitet e prodhimeve të "mëdha" të Kinostudios "Shqipëria e Re". Mbrëmjen e së hënës, u hap edicioni i tetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër "DokuFest 2009", në Prizren. Festivali, një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij lloji në rajon, u hap me performancën e artistit prizrenas, i cili jeton në Belgjikë, Maksut Vezgishti, me titullin provokativ, "Europa - Trier Antidepressure", interpretuar nga aktorja dhe balerina Agnes Nokshiqi. Vezgishi solli një përjetim personal të idesë aktuale për hyrjen në Evropë. Për të vijuar me filmin "Yussou Ndour-I Bring What I Love", i regjisores Elizabeth Chai Vasarhelyi, mbi këngëtarin e njohur senegalez, Youssou N'Dour. Mbrëmjen e së hënës u përurua dhe kinemaja e jashtëzakonshme mbi urë, e quajtur "Kino n'Lum". Ndërsa konkurrimi nisi dje në mesditë  me filmin dokumentar të metrazhit të gjatë, "Burma VJ-Reporting from a Closed Country". Në edicionin e sivjetmë të festivalit, bie në sy prania e më shumë filmave shqiptarë, si në konkurrim, ashtu edhe në programet speciale të festivalit. Janë gjithsej katër filma shqiptarë, që konkurrojnë në tri nga garat e festivalit: "Albania - A History in Pictures", me regji të Roland Sejkos dhe Mauro Brescia që konkurron për Garën Ballkanike të Filmave Dokumentarë; "Shenjtorja" me regji të Eno Milkanit në garë për Filmat e Shkurtër Ndërkombëtarë; "Portreti i familjes" me regji të Gledis Bicës dhe "Antena" me regji të Gentian Koçit në konkurrencë për Garën Nacionale. Nga 800 filma që konkurruan këtë vit, ekipi seleksionues i "DokuFest"-it përzgjodhi 184 filma dokumentarë, të shkurtër dhe animacione, që do të shfaqen në programin e filmave konkurrues dhe programet speciale nga 36 shtete. Prej tyre 133 kanë nisur të shfaqen në programin e përgjithshëm te festivalit, kurse 51 në programin për fëmijë e të rinj "DokuKids". Filmat garojnë në gjashtë kategori: "Gara Ndërkombëtare e Filmave Dokumentarë", "Gara Nacionale", "Gara Ballkanike e Filmave Dokumentarë", "Filmat e Shkurtër Ndërkombëtarë", "Green Docs" dhe garën 'Lara Lara' të programit "DokuKids". Numri i përgjithshëm i filmave konkurrues është 95, prej të cilave 78 konkurrojnë për pesë gara të përgjithshme, kurse 17 për garën 'Lara Lara'. Në programet garuese ndodhen disa nga filmat më të mire të këtij viti e që vijnë nga festivalet më të rëndësishme të botës, si ai i Kanës, Berlinit, "Karlovy Vary" dhe Torontos. Edicioni i sivjetmë ka dhjetë programe speciale: Retrospektiva e Krzysztof Kieslowskit, "Branding Kosovo", Made in Portugal", "Tofifest loves Dokusfest", "Kinostudio 'Shqipëria e Re' 1975-1995", "Retrospektiva 'Stefan Taçi' 1975 - 1995", "Retrospekiva 'Sam Spiegel Film School'", "International Doc Challenge" dhe "Red and Yelloë Elephant" - programi për fëmijë i Animatekës, Slloveni. Vlen të theksohet që dy nga programet speciale "Kinostudio 'Shqipëria e Re' 1975-1995" dhe Retrospektiva "Stefan Taçi", janë përmbledhje të animacioneve të përzgjedhura nga 250 filma të animuar shqiptarë, pronë e Arkivit Qendror Shqiptar të Filmit, Tiranë. Retrospektiva "Stefan Taçi" është një përmbledhje 30 minutëshe e animacioneve të marra nga thesari i filmave vizatimorë, të prodhuara nga artisti Stefan Taçi në kohën kur punonte pranë Kinostudios "Shqipëria e Re". 

Në konkurrim

"Albania - A History in Pictures", me regji
të Roland Sejkos dhe Mauro Brescia
"Shenjtorja" me regji të Eno Milkanit
"Portreti i familjes" me regji të Gledis Bicës
"Antena" me regji të Gentian Koçit

Retrospektivë shqiptare

Kinostudio "Shqipëria e re" -1975-1995
"Zana dhe Miri", regjia Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso
"Shkarravinat", regjia Bujar Kapexhiu
"Gjethja", regjia Artur Muharremi
"Elkana dhe dallëndyshja", regjia Majlinda Agolli
"Plumb Ballit", regjia Gazmend Leka
"Dy vëllezërit dhe ujku", regjia Boris Ikonomi
"Kush e meriton", regjia Xhovalin Delia
"Sipas kapelës kokën", regjia Shaqir Veseli
"Balada e Druvarit", regjia Rikarda Nova

Retrospektiva "Stefan Taçi" 1975 - 1995:
"Veza e Rrallë" (1988)
"Kompozimi" (1992)
"Fantazisti" (1993)
Fidani (1989)
"Mall" (1993)
"Requiem" (1994)
"Gjëra që nuk ndryshojnë" (1995)
Triptik (1994)
Sizifiane (1995)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›