Maklen Misha, kandidati i G99 në Korçë
Lëvizja G99 prezantoi dje kandidatin e parë për Qarkun e Korçës, Maklen Misha. Në një takim me banorë të këtij qyteti, kreu i G99, Erjon Veliaj, u shpreh se fryma që kjo parti kërkon të sjellë në politikën shqiptare është një frymë që bashkon, ndryshe nga politika e vjetër që na ka ndarë e përçarë gjatë këtyre 18 vjetëve. "Nuk mund të ketë një Shqipëri të ndarë në copa e në thela, s‘mund të ketë një Shqipëri të nënës e një të njerkës! I vetmi bastion që ka në Shqipëri, është bastioni i qytetarëve. Zgjidhjet që G99 ofron për Shqipërinë janë konkrete për çështje konkrete", u shpreh Veliaj. Më tej, kreu i G99 theksoi se nuk beson se ka sot mënyra ose të djathta, ose të majta për të zgjidhur çështje të tilla si për shembull: si të vaksinohen fëmijët tanë, apo si t‘u jepet mundësi atyre të mësojnë anglishten në shkollë! Gjatë këtij takimi të zhvilluar në sallën e kinemasë së qytetit të Korçës, në kuadër të turit "Rock dhe Politikë", G99 prezantoi kandidatin e saj për deputet në Qarkun e Korçës, Maklen Misha. Ky i fundit u shpreh se alternativa e G99 është krejtësisht e pastër dhe e pandotur nga politika e vjetër. "Tani që po shikoj në terren, se si politikanët e korruptuar kërkojnë të korruptojnë edhe qytetarët për t‘u marrë atyre votën, jam i bindur se shqiptarët do të kuptojnë ndryshimin e madh që ekziston mes G99 dhe këtyre të korruptuarve të politikës që kanë 18 vjet që mashtrojnë", u shpreh Misha.